Drejtori i programit për paqe dhe të drejta të njeriut në Universitetin e Kolumbias, David Phillips, thotë se me veprimet në veri, Qeveria e Kosovës përmbushi vetëm një detyrim ligjor, teksa presionin mbi kryeministrin Kurti e cilëson jo të drejtë.
“Është e saktë që shkopi po përdoret kundër Kosovës. Kosovës duhet t’i jepen stimuj për ta përshtatur kursin e saj me shpërblime të përshtatshme për qeverinë e Prishtinës për bashkëpunimin me SHBA-në. Kryetarët e komunave u zgjodhën siç duhet dhe duhet të ulen në zyrat e tyre të ligjshme. Çdo gjë më pak minon sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë në Kosovë. Strukturat paralele duhet të shpërbëhen në mënyrë që Qeveria e Kosovës të funksionojë në mënyrë efektive. Në vend që të ushtrojë presion vetëm ndaj Kurtit, Uashingtoni duhet të bëjë presion ndaj Beogradit që të luajë sipas rregullave”, ka thënë ai.
Gjatë vizitës në Prishtinë emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se moskoordinimi me ShBA-në për vendosjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri do të ketë pasoja për Prishtinën. E, pasoja e parë ishte përjashtimi për këtë vit i FSK-së nga aktiviteti ushtarak “Defender Europe 2023”.





