Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se Bashkimi Evropian është i shqetësuar për “vendimet e njëanshme” që po merr pala kosovare dhe se kjo ngrit frikën se “Kosova mund të mbetet jashtë dhe të mbetet prapa” në rrugën drejt integrimit.
Stano në konferencë për media ka thënë se dialogu vazhdon dhe se po punohet për të shtyrë palët para në këtë proces dhe ndihmuar ato që “të sillen me konstruktivitet që ato të mund të ecin para”.
“Ne nuk i frikësohemi një status-qoje, nuk i frikësohemi asgjëje në këtë aspekt. I frikësohemi vetëm se njerëzit e Kosovës dhe Serbisë mund të mbeshin jashtë nga ajo që është aty për ta nga procesi i anëtarësimit. Kemi reaguar në javët e fundit, veçanërisht për vendimet e njëanshme nga pala e Kosovës. Këto kanë ngritur shqetësimin, së bashku me mënyrën e komunikimit nga ana e autoriteteve të Prishtinës. Këto krijojnë frikë te ne, që Kosova mund të mbetet jashtë dhe prapa”, ka thënë Stano.
Ai ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak po punojnë me partnerët në rajon dhe ndërkombëtar, brenda e jashtë BE-së, për të mundësuar që të dyja palët të fillojnë të bëjnë hapa që do të lejojë të vazhdohet në dialog e të zbatohet ajo që është arritur pranverën e kaluar në Bruksel e Ohër.





