Ambasada e Republikës së Kosovës në Paris ka vlerësuar si moment krenarie dhe emocionesh të veçanta premierën botërore të filmit “Dua”, e cila u mbajt në kuadër të “Javës së Kritikës” në Festivalin prestigjioz të Kanës.
Sipas një postimi të ambasadës në Facebook, në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së Kosovës në Francë, Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës, duke dëshmuar mbështetje të fuqishme për promovimin ndërkombëtar të kinemasë kosovare.
“Rreth regjisores Blerta Basholli ishte mbledhur i gjithë ekipi i filmit për të shënuar këtë sukses të rëndësishëm. Në mesin e producentëve dhe bashkëproducentëve të projektit ishin Valon Bajgora, Yll Uka, Agon Uka, Jean-Christophe Reymond, si dhe producentët zviceranë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin nga Alva Film dhe bashkëproducenti francez Amaury Ovise nga Kazak Productions” thuhet në postim.
Pas projekcionit të mirëpritur nga publiku i Kanës, mbrëmja vazhdoi me një gala festive ku morën pjesë artistë, producentë, partnerë institucionalë dhe personalitete nga bota e filmit.
Ambasada theksoi se përzgjedhja e filmit “Dua” në “Javën e Kritikës” përbën një vlerësim të madh për kinemanë e Kosovës dhe për brezin e ri të krijuesve që përmes artit prezantojnë historinë, kujtesën dhe kreativitetin e vendit në skenat më të mëdha ndërkombëtare.
Në fund, ambasada uroi regjisoren Blerta Basholli dhe gjithë ekipin realizues për suksesin e arritur, duke theksuar se “Kosova është krenare me ju”.