Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ua ka pezulluar certifikatat edhe pesë bizneseve të tjera.
Për këtë ka njoftuar ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari, përmes një postimi në rrjetin e saj social, Facebook.
“Mes 660 dosjeve të rishqyrtuara, 48 sosh kanë rezultuar me emërtime kundërkushtetuese, duke e paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë. Menjëherë pas pranimit të raportit të Komisionit, ARBK ka filluar sot hapat administrativ të parashikuar me ligj, duke nxjerrë vendime për shfuqizimin e certifikatave të 5 bizneseve, në mes të 48 prej tyre me emërtime antikushtetuese”, ka shkruar Hajdari.
Hajdari ka shkruar se ditët në vijim ARBK-ja do të vazhdojë në marrjen e vendimeve ndaj bizneseve të tjera, të cilat kanë bërë shkeljen e Kushtetutës së Kosovës.