LAJME

Përplasje për Ligjin e Speciales: PDK kërkon 61 vota, AAK premton mbështetje – LVV kërkon nismë të re

Përplasje për Ligjin e Speciales: PDK kërkon 61 vota, AAK premton mbështetje – LVV kërkon nismë të re
TV Prizreni
TV Prizreni
12 Nëntor 2026, 10:41

Deputetët e PDK-së në Komisionin për Legjislacion kanë kërkuar që Ligji për Dhomat e Specializuara të procedohet në Kuvend në formën aktuale dhe të rrëzohet vetoja e Presidentes, me 61 vota, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi. Ndërsa, ata të Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar që të mos procedohet me nguti me të njëjtin tekst ligjor, por të shqyrtohen mundësitë për një iniciativë të re ligjore, me konsultime paraprake dhe vlerësim të pasojave.

Gjatë mbledhjes, kryetari i Komisionit, Vigan Qorrolli, ka theksuar se kthimi i ligjit nga Presidentja nuk nënkupton anulimin e tij dhe se vendimmarrja përfundimtare i takon Kuvendit.

“Kthimi i ligjit nga Presidentja nuk përbën anulim të tij e as vendimmarrje përfundimtare. Në këtë procedurë, Komisioni ynë ka obligim ta shqyrtojë çështjen dhe t’ia përcjellë Kuvendit, i cili e ka të drejtën për vendim”- ka deklaruar Qorrolli.

Ai ka shtuar se Kuvendi ka kompetencë ta miratojë sërish ligjin me së paku 61 vota, duke përmbysur kështu veton presidenciale.

“Nëse Kuvendi e përmbys të ashtuquajturën veto të Presidentes dhe e miraton sërish ligjin me së paku 61 vota, ai konsiderohet i shpallur. Nëse kjo shumicë nuk arrihet, sipas Rregullores së Kuvendit konsiderohet se nuk ka ligj”- ka thënë Qorrolli.

Megjithatë, ai ka shprehur qëndrimin se një iniciativë e re ligjore do të ishte rruga më e përgjegjshme për trajtimin e kësaj çështjeje.

“Qëndrimi ynë si mazhorancë politike është shumë i qartë; ne konsiderojmë që një iniciativë e re ligjore, e hartuar me kujdes dhe me pjesëmarrje të përbashkët parlamentare, do të ishte rruga më e përgjegjshme për trajtimin e kësaj çështjeje”- ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka bërë të ditur se pas diskutimeve politike është arritur dakordim që ligji të procedohet në Kuvend në formën aktuale, ndërsa ndryshimet të trajtohen në një fazë të mëvonshme.

“Jemi dakorduar që të kalojë ligji, por nuk ka dakordësi që të ndryshohet ligji. Duhet ta procedojmë ligjin ashtu siç është dhe më pas do të hyjmë në proces të amendamentimit”- ka thënë Deliu-Kodra.

Ajo ka rikujtuar se për miratimin e ligjit dhe tejkalimin e vetos presidenciale nevojiten 61 vota, duke ftuar deputetët që ta mbështesin atë.

Deliu-Kodra, ka kërkuar që të rrëzohet vetoja e presidentes Justina Shiroka-Pula për Ligjin për Gjykatën Speciale dhe ligji pastaj të hyjë në fuqi automatikisht.

Ajo ka thënë se PDK-ja ka zhvilluar negociata me Lëvizjen Vetëvendosje për mënyrën se si do të trajtohet ligji, por palët nuk kanë arritur marrëveshje për ndryshimin e tij.

“Ka pasur negociata me VV-në për mënyrën se si do ta trajtojmë Ligjin për Specialen. Jemi dakorduar që ta kalojmë ligjin. Nuk kemi arritur dakordësi që të bëhen ndryshime në ligj”- tha ajo.

Deliu-Kodra ka thënë se ka pasur interpretime të ndryshme rreth Rregullores së Kuvendit, pasi PDK-ja ka konsideruar se amendamentimi i ligjit është i mundur në këtë fazë, ndërsa shumica parlamentare ka vlerësuar se një gjë e tillë nuk lejohet.

“Prandaj, sot jemi në situatën që duhet ta procedojmë ligjin për miratim në Kuvend, në formën siç është. Pastaj do të nisim një proces të ri të amendamentimit të ligjit, bashkë me deputetët”- deklaroi ajo.

Deputeti Përparim Gruda i cili u mor me këtë ligj, nuk foli fare në mbledhje, e as nuk u deklarua pas Komisionit.

Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka shprehur rezerva për procedimin e ligjit në formën aktuale, duke thënë se është e nevojshme të shqyrtohen mirë pasojat e hapave të mëtejmë.

“I kemi edhe dy javë, nuk është mirë me u ngut e me i përsërit gabimet, sepse po na kushtojnë shumë. Është mirë me u ndërlidh edhe me grupin për strategji, ku janë të përfaqësuara të gjitha grupet parlamentare, dhe të ketë konsultim edhe me BE-në”- ka deklaruar Rrustemi.

Ai ka theksuar se duhet të sigurohen që veprimet e ndërmarra t’i shërbejnë qëllimit të synuar.

Nga Aleanca, Besnik Tahiri ka kërkuar që procedurat të përshpejtohen, duke theksuar se koha është e rëndësishme për shkak të procesit gjyqësor në apel.

“Sa më shumë që ne në Kuvend e vonojmë, e tjerrim, aq më shumë humbin atje. Kjo është kërkesa jonë si grup parlamentar: në cilëndo formë që shkon, këtë proces ta bëjmë me një shpejtësi që të përmbyllet”- ka thënë Tahiri.

Ai ka bërë të ditur se Aleanca do ta mbështesë qëndrimin e sponsorizuesit, por ka kërkuar që procesi eventual i amendamentimit të bëhet me kujdes.

Edhe deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, ka deklaruar se do ta mbështesë rrëzimin e vetos presidenciale.

“Do të vazhdojmë ta përkrahim edhe rrëzimin e vetos. Fazat e reja të cilat mund të inicohen për këtë ligj janë tema të reja, por si deputet nuk ndjej obligim për të vepruar sipas skenarit opozitar”- ka deklaruar Abrashi.

Qorrolli ka theksuar se Komisioni nuk vendos përfundimisht për fatin e ligjit, por vetëm e shqyrton vendimin e Presidentes dhe ia përcjell atë seancës plenare të Kuvendit për vendimmarrje.

Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i miratuar në Kuvend pak minuta para zgjedhjes së Justina Shiroka Pulës presidente të Kosovës, u kthye në të njëjtin institucion për rishqyrtim me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila e sponsorizoi atë.

Miratimi i këtij ligji, më 06.10.2026, ishte shoqëruar me protesta të ashpra para Kuvendit, ku protestuesit kërkonin ndryshime ligjore pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Protestat u shoqëruan edhe me përplasje me Policinë.

Kthimi i ligjit e aktivizon një procedurë të veçantë rishqyrtimi, në fund të së cilës deputetët duhet të vendosin nëse do ta miratojnë sërish ligjin e kthyer.

Sipas Nenit 80, paragrafi 3, të Kushtetutës, presidentja ka të drejtë ta kthejë një ligj në Kuvend vetëm një herë, duke i paraqitur arsyet e vendimit. Ndërsa Neni 84 i Rregullores së Kuvendit përcakton hapat që duhet të ndiqen pas kthimit.

Në kërkesën zyrtare të 22 tetorit, PDK-ja ka thënë se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, me qëllim të garantimit të të drejtave kushtetuese të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

PDK-ja ka vlerësuar se ligji është finalizuar në pjesën dërrmuese dhe se rishqyrtimi duhet të shërbejë për një verifikim përfundimtar profesional dhe për adresimin e elementeve që mund ta pengojnë zbatimin e tij.

“Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para”- thuhet në deklaratën e partisë.

PDK-ja ka ftuar ekspertët që kanë shprehur gatishmëri për të kontribuuar, përfshirë Avokatin e Popullit, që t’i paraqesin propozimet e tyre konkrete. Partia ka thënë se pret që ligji të miratohet sërish brenda katër javësh dhe ka theksuar se gatishmëria për ta përmirësuar atë nuk nënkupton tërheqje nga nisma.

“PDK-ja nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi assesi”- thuhet në deklaratë.

Përveç kësaj nisme, partia ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për një strategji të koordinuar shtetërore për procesin e apelit në Hagë, sigurimin e fondeve të nevojshme dhe mbështetjen profesionale për mbrojtjen. Sipas PDK-së, mbështetja për apelin dhe finalizimi i ligjit duhet të ecin paralelisht.

Në arsyetimin e saj, Presidenca ka bërë të ditur se presidentja Justina Shiroka Pula e ka pranuar propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të PDK-së për kthimin e ligjit në Kuvend, veçanërisht për rishqyrtimin e dispozitave që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në këto dhoma.

Presidentja ka theksuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të krerëve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në votimin e 06.10.2026, ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara u miratuan me 88 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Pro votuan deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, PDK-së, Aleancës dhe përfaqësues të komuniteteve të partive joshumicë joserbe. LDK-ja nuk mori pjesë në votim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë projektligjin në lexim të parë, megjithëse, sipas tij, nuk është e bindur për dobinë e tij. Ai kritikoi nismën për ndryshimin e ligjit, duke e cilësuar të ngutshme dhe të pamjaftueshëm të analizuar.

“Unë, po të isha në vendin tuaj, nuk do të ngutesha. Do ta bëja një analizë të plotë, do ta prisja aktgjykimin në formën e plotë dhe pastaj do të vepronim bashkë”- i pati thënë Kurti – deputetëve të PDK-së.

LVV e votoi edhe në lexim të dytë, edhe pse thanë që nuk janë dakord me përmbajtjen e tij./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika