Përdoruesit e Gmail-it po paralajmërohen për një kërcënim të ri kibernetik që mund t’u mundësojë hakerëve qasje të paautorizuar në mesazhet e tyre private, madje edhe pas ndryshimit të fjalëkalimit.
Bëhet fjalë për programin keqdashës “Remus Stealer”, i cili po reklamohet në forume të krimit kibernetik si një mjet për marrjen e kontrollit mbi kutitë elektronike të përdoruesve.
Sipas kompanisë së sigurisë kibernetike Hudson Rock, zhvilluesit e këtij programi pretendojnë se hakerët mund të lexojnë mesazhet e viktimave përmes një paneli të posaçëm, pa pasur nevojë të kyçen drejtpërdrejt në llogarinë e Gmail-it.
Siç raporton Cyber Insider, një nga veçoritë më shqetësuese të këtij programi është pretendimi se qasja në email mund të vazhdojë edhe pasi përdoruesi të ndryshojë fjalëkalimin ose të mbyllë shfletuesin e internetit.
Programi ofrohet përmes një abonimi prej 1 mijë dollarësh në muaj, duke u mundësuar kriminelëve kibernetikë të kontrollojnë mesazhet dhe potencialisht të sigurojnë edhe kodet e verifikimit që dërgohen për shërbime të tjera online.
Hudson Rock ka analizuar materialet promovuese të versionit 1.3.9 të këtij softueri dhe ka kontaktuar persona që pretendojnë se e kanë përdorur atë.
Një prej tyre ka deklaruar se kishte vazhduar të kishte qasje në një llogari të komprometuar edhe pas ndryshimit të fjalëkalimit.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ende nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur nëse programi mund ta ruajë qasjen pasi përdoruesi të ketë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.
Rreziku nuk kufizohet vetëm te mesazhet elektronike. Nëse hakerët arrijnë të kontrollojnë një llogari Gmail, ata mund të sigurojnë edhe lidhje për rivendosjen e fjalëkalimeve dhe kode verifikimi për llogari bankare, rrjete sociale dhe shërbime të tjera digjitale.
Google ka rekomanduar që përdoruesit të ndërpresin sesionet e panjohura dhe të largojnë programet keqdashëse nga pajisjet e infektuara.
“Përdoruesit mund t’i bëjnë të pavlefshme sesionet e vjedhura duke larguar programin keqdashës nga pajisja e prekur dhe duke ndërprerë sesionet aktive”, ka deklaruar një zëdhënës i Google për Cybernews.
Ekspertët këshillojnë që, përveç ndryshimit të fjalëkalimit, përdoruesit të kontrollojnë cilësimet e sigurisë, pajisjet e lidhura me llogarinë, rregullat e përcjelljes automatike të email-eve dhe lejet e aplikacioneve të palëve të treta.
Ata rekomandojnë gjithashtu aktivizimin e verifikimit me 2 hapa dhe përdorimin e metodave më të sigurta të identifikimit për të zvogëluar rrezikun e qasjes së paautorizuar./KP