LAJME

Përmbarimi i tërheq afro 2 milionë euro nga buxheti i Drejtorisë së Shëndetësisë në Prizren, Baxhaku paralajmëron pasoja për pacientët

Përmbarimi i tërheq afro 2 milionë euro nga buxheti i Drejtorisë së Shëndetësisë në Prizren, Baxhaku paralajmëron pasoja për pacientët
TV Prizreni
TV Prizreni
28 Prill 2026, 09:25

Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit ka ngritur alarmin për një situatë që e ka cilësuar si të papranueshme dhe me pasoja serioze për ofrimin e kujdesit ndaj qytetarëve, pasi përmes procedurave përmbarimore nga buxheti i saj janë tërhequr rreth 2 milionë euro.

Përmes një reagimi publik, drejtori i Shëndetësisë, Sylejman Baxhaku, bëri të ditur se ky veprim ka prekur rëndë kapacitetin financiar të institucionit, duke theksuar se për herë të parë janë marrë 1 milion euro pikërisht nga kategoria “Mallra dhe Shërbime”, mjete këto të parapara për furnizime esenciale dhe funksionimin e përditshëm të institucioneve shëndetësore.

Sipas Baxhakut, kjo ndërhyrje nuk përbën vetëm çështje financiare apo administrative, por një goditje të drejtpërdrejtë ndaj shërbimeve jetike që u ofrohen pacientëve.

“Çdo euro e këtij buxheti është e destinuar për barna, pajisje, shërbime dhe kujdes për qytetarët. Tërheqja e këtyre mjeteve cenon në thelb funksionimin normal të institucioneve shëndetësore”, ka theksuar ai.

Ai ka paralajmëruar se pasojat tashmë janë të pashmangshme dhe se situata do të reflektohet në kufizim të shërbimeve, mungesë furnizimesh dhe vështirësi serioze në trajtimin e pacientëve në qendrat shëndetësore komunale.

“Ky është një realitet i ri i krijuar si pasojë e vendimeve që prekin drejtpërdrejt sektorin e shëndetësisë. Qytetarët duhet ta dinë se ofrimi i shërbimeve nuk mund të mbetet i paprekur në këto rrethana”, thuhet më tej në reagim.

Shqetësimi i Drejtorisë vjen në një kohë kur institucionet lokale po përballen me barrë të shtuar financiare nga vendimet gjyqësore dhe procedurat përmbarimore, të cilat në raste të ngjashme kanë goditur ndjeshëm buxhetet komunale në vend.

Drejtoria e Shëndetësisë nuk ka bërë të ditur ende se cilat shërbime konkrete do të preken fillimisht, por ka lënë të kuptohet se mungesa e mjeteve në kategorinë e furnizimeve bazike do ta bëjë të pamundur ruajtjen e nivelit aktual të shërbimeve për qytetarët.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika