Në orët e para të mëngjesit, një ditë para mbajtjes së balotazhit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e shpërndarjes së materialeve zgjedhore, përfshirë edhe fletëvotimet.
Materialet janë dërguar në Qendrat Komunale të Numërimit në 18 komunat ku të dielën do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash.
Sipas planifikimeve të KQZ-së, të dielën herët në mëngjes fletëvotimet do të shpërndahen nëpër Qendrat e Votimit, të cilat do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 19:00.
Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.
Sipas vendimit të KQZ-së, kanë shtypur 1,158,015 fletëvotime apo rreth 16% më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund. Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, Votimin e Personave e Nevoja të Veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë, raporton KP.
Raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave do të mbahet në këto 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Sipas Listës së Votuesve të aprovuar nga KQZ, pas përditësimit të të dhënave me votuesit e rinjë që kanë mbushin 18 vjeç nga 13 tetori deri më 9 nëntor dhe pas largimit të personave të vdekur dhe të atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672, pra vetëm 543 votues më shumë se në raundin e parë.
