Home LAJME Përfundon gërmimi i varrezave masive për vitin 2020

Përfundon gërmimi i varrezave masive për vitin 2020

0
Përfundon gërmimi i varrezave masive për vitin 2020

Për sivjet e premtja është dita e fundit që bëhen gërmime në Kizhevak të Serbisë.

Aty u zbulua varrezë masive ku dyshohet se u groposën dhjetëra trupa të të vrarëve në luftën e Kosovës të cilët pas ekzekutimit u sollën aty për t’i fshehur gjurmët e krimit.

Kizhevaku është lokacioni i pestë në Serbi në të cilin nga viti 2000 zbulohet varr masiv, derisa në Kosovë 1638 persona figurojnë të zhdukur që nga lufta.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, thotë se kur t’i kthehen terrenit do të gërmojnë në një lokacion në Komunën e Sjenicës, jo larg Kizhevakut, ku ka dyshime për varr masiv.

Për zbulimin në rajonin e Rashkës rol vendimtar kishte Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) bashkë me Amerikën.

“Në rastin e Kizhevakut, ne kemi kërkuar fotografi ajrore të cilat i morëm para një viti e gjysmë. Ato i siguruam nëpërmjet Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Kurse, miqtë tanë amerikanë ishin goxha të përfshirë në bërjen e fotografive në fjalë. Më pas, kontaktuam Komisionet për të Pagjeturit në Kosovë dhe Serbi të cilët i pranuan fakto-grafitë”, tha për Klan Kosova shefi i EULEX-it, Larg Gunnar Wigemark.

Pos kësaj, një grup i vogël ekspertësh të forenzikës nga misioni i BE-së është i angazhuar bashkë me mjeko-ligjorët kosovarë, tash e sa vite, të identifikojnë qindra trupa njerëzish që kanë mbetur në Morgun e Spitalit të Prishtinës.

“Aty ndodhen mbetjet mortore të diku 300 personave. Ne vlerësojmë që gjysma e tyre iu përkasin personave të pagjetur nga koha e luftës për pavarësi”, theksoi Wigemark.

Gërmimet në Kizhevak të Serbisë pritet të vazhdojnë vitin tjetër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here