Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë viteve të fundit më shumë se gjysma e rasteve me kancer të gjirit në vend janë zbuluar në stadin e parë dhe të dytë, kur mundësitë për trajtim janë më të favorshme.
Këtë deklaratë Kurti e bëri përmes një postimi në Facebook, pas pjesëmarrjes në tryezën me temën “Përtej tetorit rozë, së bashku për shëndetin”, ku u diskutua rëndësia e kontrolleve të rregullta dhe e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit.
Ai theksoi se institucionet duhet të punojnë për të lehtësuar qasjen e grave në kontrolle diagnostikuese dhe trajtim, duke theksuar se distanca mes paraqitjes së shqetësimeve shëndetësore dhe marrjes së shërbimeve duhet të jetë sa më e shkurtër.
Sipas Kurtit, mamografia ofrohet falas gjatë gjithë vitit, ndërsa gjatë muajit tetor mamografi mobil viziton qytetet e Kosovës, me qëllim të ofrimit të këtij shërbimi sa më afër grave.
Ai bëri të ditur gjithashtu se në Klinikën e Onkologjisë janë përmirësuar kushtet dhe janë instaluar pajisje të teknologjisë së fundit. Sipas tij, edhe rikonstruktimi i gjirit ofrohet falas dhe pa pritje.
Në fund, Kurti theksoi se ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit nuk duhet të kufizohet vetëm në muajin tetor, por të jetë pjesë e kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos i shtyjnë kontrollet mjekësore dhe të inkurajojnë njëri-tjetrin për kujdes të rregullt shëndetësor.





