Në një periudhë trejavore, përkatësisht nga 15 marsi deri më 2 prill, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 532 mësimdhënës dhe 712 nxënës të infektuar me koronavirusin e ri.
Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
“Këto të dhëna merren nga Drejtoritë komunale të arsimit, ndërsa të dhënat e sakta i posedon vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) “, thuhet në përgjigjje të kabinetit të ministres së Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci, për Radion Evropa e Lirë.
Në institucionet e arsimit parauniversitar dhe atij universitar në Kosovë, aktiviteti mësimor, nga 12 prilli, është duke u zhvilluar në formatin online. Ky vendim është marrë nga Qeveria e Kosovës, me qëllim të luftimit të koronavirusit.