Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se tendencat për vazhdimin e procesit të zgjedhjes së presidentit, sipas tij, në mënyrë jokushtetuese kanë qenë shqetësuese për opozitën, përfshirë PDK-në dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Sipas tij, zgjedhja e presidentit është çështje me interes të përgjithshëm dhe nuk është pritur që ajo të trajtohet në mënyrë të njëanshme.
“Tendenca që e kemi pa që në mënyrë jokushtetuese me vazhdu zgjedhja e presidentit sigurisht se ka qenë shqetësuese edhe për neve, edhe për PDK-në dhe të gjitha subjektet e opozitës dhe për përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetar” – deklaroi Tahiri.
Ai tha se opozita ka pasur qasje konstruktive gjatë gjithë procesit, duke filluar nga konstituimi i institucioneve dhe votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Nuk është se kemi dashtë me qenë në konferencë sonte për këtë temë. Por ka qenë një imponim që ne e kemi alarmu vazhdimisht” – tha ai.
Tahiri shtoi se PDK-ja ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe ka vepruar në mënyrë konstruktive në disa procese institucionale.
“Kemi pranu rezultatin e zgjedhjeve dhe kemi qëndru në opozitë, kurse në temat që kanë qenë interes i kohës kemi tregu konstruktivitet” – deklaroi ai.
Ai përmendi edhe votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit, duke thënë se opozita ka kontribuar për stabilitet institucional.
“I kemi mbështetur pa asnjë rezervë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare… i kemi mbështetur dhe kemi votu zgjatjet buxhetore për muajin mars” – tha Tahiri.
Duke folur për bashkëpunimin me kryeministrin Albin Kurti, ai tha se nuk ka qenë e lehtë për PDK-në për shkak të gjuhës së përdorur më herët, por se është vendosur të hapet një kapitull i ri politik.
“Nuk ka qenë e lehtë për PDK-në t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për arsye se ai vazhdimisht ka përdorur gjuhë ofenduese dhe fyese ndaj subjekteve opozitare, duke përfshirë edhe PDK-në, por ne e kemi vlerësu se duhet ta hapim një kapitull të ri dhe e kemi tejkalu” – deklaroi Tahiri.