Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar shkarkimin e ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari, pas dënimit për mosdeklarim të pasurisë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në seancën e parë të vitit 2023 ka thënë se PDK-ja s’do ta votojë Projektligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve përderisa ai prezantohet nga ministrja e dënuar.
“Sa i përket efikasiteti të këtij kuvendi sot po e fillojmë sesionin e ri pranveror me seancën e shtatorit që ka qenë seanca parë e sesionit vjeshtor. Sa i përket shqyrtimit të këtij projektligji, ai është mjaft i rëndësishëm, por që u prezantua nga një ministre që është e dënuar për fshehje të pasurisë. Kjo e bën të cenueshëm këtë ligj. Për ne është e papranueshme të vazhdojë të rrijë në sallë një person i cili e fsheh pasurinë. Asnjëherë në Kuvend nuk ka pasur ministër që ka qenë në detyrë dhe që ka qenë i dënuar për mosdeklarim të pasurisë. Këtë standard po e vendos Qeveria Kurti. Ju kërkoj të bëni presion te kryeministri që kjo ministre të shkarkohet”, ka thënë Tahiri.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj Tahirit duke i thënë që të mbetet në kuadër të agjendës.
“Po, është mungesë e efikasitetit tonë të përbashkët në këtë legjislaturë. Por do të duhej të kishte përmbajtje brenda agjendës. Ministrja e prezantoi një projektligj të rëndësishëm në diskutim. Prita një elaborim të mirëfilltë nga grupi më i madh opozitar me mendimin se jeni kthyer në seriozitet në vitin 2023. Për këtë çështje ju keni kërkuar debat i cili ende nuk është bërë. Atë debat besoj se të gjithë bashkë mund të dakordohemi ta kemi në mbledhje të kryesisë. Të mos e ndryshojmë agjendën për të cilën jemi ftuar. Ju sugjeroj që të mbesim në kuadër të agjendës”, ka thënë ajo.
I menjëhershëm ishte reagimi i Tahirit që ka thënë se opozita ka qenë konstruktive.
“Ju rikujtoj që shumicën e ligjeve që e ka sjellë kjo Qeveri i kemi mbështetur. Është shumë e rëndësishme që kjo ministre të japë dorëheqje apo te shkarkohet sepse ju po vendosni një standard shume të dëmshëm. Ne kur e kemi kërkuar debatin ka pasur aktakuzë, jo dënim. Përderisa prezantohet ky projektligj nga Rozeta Hajdari ne nuk do ta votojmë”, ka deklaruar Tahiri.
Në mbrojtje ministres Hajdari i ka dalë deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi. Ai ka thënë se çështja teknike po tentohet të kthehet në politike.
“Ne kemi hartuar Ligjin e ri për deklarimin e pasurisë i cili hyn ne fuqi 6 muaj pas miratimit. Me ligjin e ri, vonesat nuk janë as vepër penale. Ministrja Hajdari e ka deklaruar pasurinë por me dy ditë vonese, meqë e ka pranuar fajin. Por, po të paraqiste ankesë në shkallë të dytë do të dilte e pafajshme. Mos tentoni një çështje teknike ta ktheni në çështje politike”, ka thënë Rrustemi.
Ndërkaq Tahiri i ka thënë se Hajdari ka kthyer vepër penale e se “vazhdimi i punës së kësaj ministreje e cenon integritetin e ministrisë”.
Deputetja tjetër e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se ka qenë deklaratë e kryeministrit Albin Kurti se në Qeverinë e tij s’do të ketë ministra me aktakuzë a të dënuar.
“Zonja Hajdari ka një numër skandalesh. Dhe sot kur kemi një dënim nuk e kuptoj se si zonja Hadari ka guximin të vijë në Kuvend. Qeveria Kurti ka një varg skandalesh që nga mitizimi i kriminelëve e deri te skandalet e panumërta me Martin Berishajn e të tjerë. Zonja Hajdari nuk do të duhej të vinte, por do të duhej të jepte dorëheqje morale. Po të kërkoj moralisht si deputete që të mos vish e të na ofendosh këtu”, ka thënë ajo.
Pas debatit ka kaluar me shumicë vota Projektligji për sigurinë e përgjithshme të produkteve.
Shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me mosrealizimin e projekteve kapitale të Qeverisë gjatë vitit 2022, është shtyrë nga Lidhja Demokratike që ishte iniciuese. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se kërkesa qe bërë në muajin gusht për ta shqyrtuar raportin 6-mujor të Qeverisë.
“Si rezultat i mungesës së efikasitetit nuk ka arritur të shqyrtohet. E ka humbur aktualitetin prandaj ne si grup parlamentar do ta përsërisim kërkesën për ta shqyrtuar raportin vjetor. Aty do të shohim se si kjo Qeveri ka dështuar në të gjitha projektet kapitale”, ka thënë Gashi.