Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kërkesën që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet nesër, 14 gusht.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se kërkojnë respektimin e Kushtetutës.
“Kemi dorëzuar në emër të PDK-së kërkesën në drejtim të kryesuesit të seancës Deharit për mbajtjen e vazhdimit të seancës për nesër në ora 11 siç kërkon rregullorja”.
Gruda ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
“Funksionin e deputetit po na pamundëson me ushtru LVV-ja. Në emër të partisë i bëj thirrje deputetit Kurti ta lejojë Deharin ta thërrasë seancën. Deharit nuk i takon ta japë asnjë vlerësim politik, ka rol teknik për ta thirrur seancën dhe për ta realizuar atë”, ka thënë ai.
PDK-ja edhe para dy ditësh ka dorëzuar kërkesë të ngjashme për vazhdimin e seancës konstituive. Megjithatë, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se seanca nuk do të thirret pa pasur një marrëveshje mes partive.
Seanca konstituive e 6 gushtit mbeti e papërfunduar. Ka mbetur votimi i kryetarit dhe nënkryetarëve. Kryeministri në detyrë Albin Kurti dy herë kërkoi që seanca të shtyhet për t’i dhënë kohë shtesë një marrëveshje të mundshme për presidentin./KOHA






