Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Por, kontestimin e tij në Kushtetuese e ka kritikuar sponzorizuesja e ligjit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se kjo është tendencë për ta ndalur reformën në drejtësi, nga ata që sipas saj, i kanë shkatërruar institucionet.
Gati dy javë pas miratimit në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Këtë ligj, PDK-ja po e konteston në tërësinë e tij, ndonëse zyrtarë të saj thonë se Gjykatës ia kanë argumentuar veç e veç të gjitha nenet të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Avokati i kësaj partie, Faton Fetahu, ka thënë se mbi bazën e argumenteve që i ka paraqitur PDK-ja, Kushtetuesja do ta rrëzojë Ligjin.
“Kemi kërkuar edhe vlerësimin e kushtetutshmërisë në tërësi në përmbajtjen e tij dhe jo për nenet konkrete të tij, paçka se ne e kemi arsyetuar se pse nenet konkrete të tij janë jokushtetuese. Mirëpo, vlerësimi i jokushtetushmërisë së tyre, nëse konfirmohen si jokushtetuese e bën ligjin jofunksional”, ka thënë Fetahu.
Për këtë veprim të PDK-së, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo është shprehur se dërgimi i ligjit në Kushtetuese ka qëllim zvarritjen e reformës në drejtësi nga ata që siç tha ajo, janë përgjegjës për shkatërrimin e institucioneve.
“Dërgimi i Ligjit për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese, ka për qëllim zhagitjen e reformave. Mund të luftohen e sabotohen, por reformat që kemi nisur në shumë drejtime përbrenda sistemit të drejtësisë tashmë kanë marrë drejtimin e duhur dhe nuk mund t’i ndalojë askush, aq më shumë ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e institucioneve. Byroja do të bëhet. Drejtësia do të triumfojë”, ka deklaruar ministrja Haxhiu.
Ajo ka thënë se ligji i kontestuar nga PDK-ja është në harmoni me rekomandimet e Komisionit të Venecias, i cili siç thotë ajo, është institucioni më kredibil në Evropë për të hequr dilema rreth nismave që mund të jenë antiligjore e antikushtetuese.
“Për të qenë edhe më korrekt, pas kërkesës së opozitës dhe para miratimit në parim, projekt-ligjin e dërguam edhe në Komisionin e Venecias si institucionin më kredibil për demokraci nëpërmjet ligjit. Pasi kaloi të gjitha hallkat e verifikimit më në fund u soll në Kuvend për t’u votuar në leximin përfundimtar”, është shprehur Haxhiu.
Përfaqësuesi ligjor i PDK-së, thotë se mes tjerash se kjo parti kundërshton nenin 4 që lidhet me themelimin e Byrosë, nenin 9 që ka të bëjë me statusin e saj, e gjithashtu edhe disa nene të tjera.
Të gjitha nenet e ankimuara në Gjykatë, sipas tij, bien në kundërshtim me nenin 7 të Kushtetutës që flet për një rend kushtetues me barazi, mosdiskriminim, respektim të të drejtave të njeriut, të drejtës së pronës e sundim të ligjit.
Për këtë ligj, në Kuvend, PDK-ja, nuk i kishte dhënë mbështetje e as nuk kishte votuar kundër tij. Krahas partisë në pushtet, Vetëvendosjes, këtë ligj e ka votuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës./koha.net/