Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar ankesë në Gjykatën, duke kundërshtuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili refuzoi kërkesën për përsëritjen e votimit në Mitrovicë.
Përmes një postimi në Facebook, PDK-ja ka vlerësuar se vendimi i PZAP-së është i gabuar dhe nuk pasqyron realitetin e parregullsive të evidentuara në qendrat e votimit në këtë komunë.
“Provat e paraqitura tregojnë qartë se procesi është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve është ndryshuar. Me kërkesën drejtuar Gjykatës Supreme, PDK kërkon shqyrtim të plotë të çështjes dhe marrjen e një vendimi që garanton integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve të Mitrovicës. Partia Demokratike e Kosovës thekson se do të vazhdojë me vendosmëri rrugën ligjore deri në sqarimin dhe korrigjimin e çdo parregullsie, duke mbrojtur votën e lirë dhe proceset demokratike në vend”, thuhet në njoftim.





