Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të miturit A.O., lidhur me rastin e vrasjes së një personi në fshatin Kobaj, më 14 qershor 2026.
Sipas njoftimit të Gjykatës, i mituri A.O., në bashkëkryerje me Sh.O., akuzohej se gjatë një përleshjeje kishte sulmuar me thikë dy persona, duke goditur njëri prej tyre në gjoks. Viktima kishte humbur jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa personi tjetër kishte pësuar lëndime të lehta trupore.
Gjykata ka bërë të ditur se i mituri është dënuar me nëntë vjet burgim për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.





