Mosprocedimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka nxitur reagimin e eurodeputetit holandez, Thijs Reuten, i cili e ka cilësuar të pajustifikueshme zvarritjen e procesit.
Në një intervistë për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Reuten ka kritikuar institucionet evropiane për mungesën e hapave konkretë në shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për statusin e vendit kandidat, transmeton lajmi.net.
“Është turp dhe skandal që aplikimi i Kosovës për hyrje në BE ka mbetur në sirtar, pa asnjë arsye”, ka deklaruar ai.
Sipas Reutenit, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga disa vende anëtare nuk përbën pengesë ligjore për nisjen e procedurave të mëtejshme. Ai ka theksuar se traktatet e BE-së nuk e ndalojnë dërgimin e pyetësorit, si një hap drejt integrimit evropian.
Eurodeputeti ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për avancimin e kësaj çështjeje në institucionet evropiane.
Duke komentuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, Reuten ka vlerësuar se zhvillimet politike dhe zgjedhjet kanë ndikuar në ritmin e reformave në Kosovë.
“Raporti i Progresit për Kosovën përshkruan një vit të vështirë, gjatë të cilit shumë kohë u shpenzua për formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjet. Prandaj, në raport u theksua se përparimi ishte i kufizuar”, ka thënë ai.
Megjithatë, Reuten pret që institucionet e reja të fokusohen në reformat e kërkuara nga BE-ja, veçanërisht në drejtësi dhe sundimin e ligjit.
“Sa më shumë që Kosova të jetë e gatshme dhe sa më shumë reforma të bëjë, aq më shumë do të jetë në linjë me BE-në dhe aq më mirë do të jetë për qytetarët e saj”, është shprehur Reuten.
Ai ka kërkuar që Kosova të vazhdojë përmbushjen e obligimeve në kuadër të procesit të integrimit evropian, pavarësisht zvarritjes së shqyrtimit të aplikimit të saj.