Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një letre zyrtare, i ka kërkuar sot Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, rikthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
PDK-ja përmes një komunikatë për media ka bërë të ditur se vlerëson se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara.
“PDK-ja është krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ajo ka marrë. Mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për çlirimtarët në Hagë mbeten përgjegjësi të panegociueshme”.
“Ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij. Rishqyrtimi synon një verifikim përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij. Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme”, thuhet në njoftim.
PDK-ja ka ftuar ekspertët që kanë shprehur gatishmëri për të kontribuuar, përfshirë Avokatin e Popullit, t’i paraqesin propozimet e tyre konkrete.
“Presim që, ashtu siç e miratuam më 6 tetor 2026, ta miratojmë sërish brenda pak javësh, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë ligj dhe që do të kontribuojnë në finalizimin e tij. Paralelisht, PDK-ja vazhdon angazhimin për një strategji të koordinuar shtetërore për apelin, sigurimin e fondeve të nevojshme dhe mbështetjen profesionale për mbrojtjen. Mbështetja për apelin dhe finalizimi i ligjit duhet të ecin së bashku”.
“Gatishmëria për ta përmirësuar ligjin nuk është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij. PDK-ja nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi assesi. Qëndrojmë prapa nismës sonë, kërkesës qytetare dhe zotimit për të mos i lënë vetëm çlirimtarët tanë”, thuhet në njoftimin e PDK-së.





