Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe hapat e ardhshëm të subjektit politik.
Gjatë mbledhjes, Kryesia e PDK-së i ka shprehur mirënjohje Grupit Parlamentar të partisë për angazhimin, siç është thënë, në mbrojtje të Kushtetutës, rendit juridik dhe vlerave demokratike në Kosovë.
Sipas PDK-së, shkeljet e Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Punës së Kuvendit përbëjnë cenim të themeleve të Kosovës si shtet demokratik dhe parlamentar.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se mbrojtja e Kushtetutës, institucioneve dhe rendit demokratik është përgjegjësi e përbashkët, duke theksuar se partia që ai drejton është e vendosur ta përmbushë këtë obligim.
Kryesia e PDK-së ka bërë të ditur se do të vazhdojë t’i përcjellë nga afër zhvillimet politike në vend dhe do të ndërmarrë veprimet që i konsideron të nevojshme për mbrojtjen e kushtetutshmërisë, demokracisë dhe parlamentarizmit në Kosovë.





