Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar pas takimit të sotëm me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se ekziston vullnet i dyanshëm për të diskutuar kriteret dhe profilin e presidentit të ardhshëm të Kosovës.
Abdixhiku ka thënë se takimi është zhvilluar në frymë të mirëkuptimit, ndërsa ka theksuar se palët kanë diskutuar për karakteristikat që duhet t’i ketë presidenti apo presidentja e ardhshme e vendit.
“Në këtë takim diskutuam në vullnet të mirë për kriteret dhe profilin potencial të presidentit apo presidentes së ardhshme të Kosovës. Ka vullnet të dyanshëm rreth këtij profili, se si do të duket një president dhe, mbi të gjitha, për kriteret që ai ose ajo duhet t’i ketë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka shtuar se kriteret, sipas tij, janë të qarta dhe se presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë që e do dhe e mbron Republikën e Kosovës, si dhe që ushtron demokracinë në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Ju lus që t’i besoni jo vetëm orientimit tonë 37-vjeçar, por vetë vlerave për të cilat LDK-ja qëndron, pra një president që e do Republikën, e mbron Republikën dhe e ushtron demokracinë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe një figurë e cila e shtron unitetin, ashtu siç i takon me Kushtetutën e Kosovës”, është shprehur ai.
Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja nuk dëshiron një president me rol të parëndësishëm, por një figurë të respektuar që do ta ushtrojë me dinjitet funksionin më të lartë shtetëror.
“Pra, nuk duam një president të parëndësishëm, por një figurë e cila është e respektuar dhe e ushtron me dinjitet funksionin më të lartë shtetëror. Jam i bindur se Kosova ka figura të tilla”, ka përfunduar Abdixhiku.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se në këtë takim janë dakorduar që herën tjetër të shkohet me emra konkret për presidentin a presidenten e Republikës së Kosovës.
Abdixhiku ka deklaruar gjithashtu se në këtë takim kanë kërkuar kohë për ta diskutuar brenda subjekteve.
“Nuk duam një president të parëndësishëm por një figurë që është e respektuar dhe e ushtron më dinjitet funksionin më të lartë shtetëror. Kosova ka figura të tilla, por gjendja dhe çështja është shumë sensitive. Kërkuam periudhë diskutuese të brendshme brenda subjekteve tona dhe konsultative me shoqërinë secili në mënyrë e vet para se të vijmë me emra konkret në takimin e ardhshëm. E di që fokusi është për emra specifik, për këtë na duhet ende kohë. E mira është se gjërat janë shumë më të qarta, kërkojmë vetëm stabilitet institucional. U dakorduam që të vijmë me emra konkret në takimet e ardhshmë por në fund të ketë një emër”, ka thënë Abdixhiku.





