Kuvendari i Komunës së Prizrenit, Petrit Hoxhaj, ka kërkuar masa urgjente për rritjen e sigurisë në rrugën brenda fshatit Vlashnje, pas një aksidenti ku një fëmijë është goditur nga një automjet.
Hoxhaj ka thënë se shqetësimi i banorëve për shpejtësinë e lartë të automjeteve është ngritur vazhdimisht në Kuvendin Komunal dhe në takime me institucionet, por sipas tij, kërkesat nuk kanë marrë përgjigjen e duhur.
Ai ka kërkuar uljen e kufizimit të shpejtësisë nga 50 në 30 km/h, vendosjen e pengesave fizike dhe sinjalistikës së nevojshme, shtimin e kontrolleve policore, si dhe kufizimin e qarkullimit të kamionëve me tonazh të rëndë.
Kuvendari Hoxhaj ka paralajmëruar se, nëse kërkesat e banorëve vazhdojnë të shpërfillen, ata mund të bllokojnë rrugën kryesore në shenjë proteste. Ai i ka uruar shërim të shpejtë fëmijës së aksidentuar dhe ka kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet.