LAJME

Arrestohet një person në Prizren, dyshohet se lëshoi 1,679 diploma të falsifikuara

Arrestohet një person në Prizren, dyshohet se lëshoi 1,679 diploma të falsifikuara
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Gusht 2026, 14:50

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë arrestuar një person me inicialet I.Ç., nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim.

Sipas hetimeve, i dyshuari, si pronar dhe person përgjegjës i një Qendre për Verifikim të Aftësive Profesionale në Prizren, dyshohet se ka lëshuar diploma profesionale pa u zhvilluar trajnimet përkatëse teorike dhe praktike. Nga viti 2019 dyshohet se janë lëshuar rreth 1,679 diploma, me pagesë prej rreth 300 euro për një diplomë, duke gjeneruar përfitim të dyshuar prej rreth 500 mijë eurosh.

Gjatë kontrollit, të autorizuar nga Gjykata Themelore në Prizren, janë sekuestruar 333 diploma profesionale, pajisje kompjuterike, USB, vula biznesi, telefon, shënime për pagesa, 630 euro para të gatshme dhe materiale të tjera.

Sipas Prokurorisë, subjekti dyshohet se nuk ka qenë i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) dhe nuk ka pasur autorizim për ofrimin, vlerësimin dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale.

I dyshuari ndodhet në ndalim prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria do të vlerësojë kërkesën për caktimin e masës për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale. Autoritetet kanë ftuar qytetarët që dyshojnë se janë mashtruar nga ky subjekt të raportojnë rastin në Prokurorinë Themelore në Prizren ose në stacionin më të afërt policor.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika