LAJME

Totaj kritikon Kurtin: Premtimet u zëvendësuan me arsyetime, vendi mbeti i izoluar

Totaj kritikon Kurtin: Premtimet u zëvendësuan me arsyetime, vendi mbeti i izoluar
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Gusht 2026, 13:41

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit në detyrë,  Albin Kurti, duke e akuzuar atë për dështim në përmbushjen e premtimeve dhe për përkeqësim të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

Në një reagim të publikuar të martën, Totaj e ka cilësuar Kurtin si “mjeshtrin e pakontestueshëm të transformimit të populizmit opozitar në një telenovelë të pafundme qeverisëse”, duke thënë se premtimet e mëdha janë zëvendësuar me arsyetime.

Totaj ka kritikuar edhe qasjen e Qeverisë në politikën e jashtme, duke pretenduar se marrëdhëniet me partnerët tradicionalë janë ftohur dhe se Kosova ka mbetur nën masa ndëshkuese.

Sipas tij, edhe në aspektin ekonomik qeveria po përpiqet që dështimet t’i paraqesë si suksese, ndërsa qytetarët përballen me rritje të çmimeve dhe inflacion.

Kryetari i Prizrenit ka përmendur edhe largimin e të rinjve dhe profesionistëve nga vendi, duke thënë se premtimet për punësim dhe kthimin e diasporës nuk janë realizuar.

Në reagimin e tij, Totaj ka kritikuar gjithashtu reformat në drejtësi, përfshirë procesin e vettingut, si dhe komunikimin publik të Qeverisë, të cilin e ka përshkruar si një “teatër të përditshëm”, ku përgjegjësia për problemet, sipas tij, i atribuohet vazhdimisht dikujt tjetër.

Reagimi i Totajt vjen në kuadër të kritikave të tij politike ndaj qeverisjes së Albin Kurtit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika