Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po vazhdon inspektimet intensive në treg, me fokus të veçantë te produktet e qumështit për të cilat janë evidentuar mospërputhje në raportin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), gjatë kontrolleve në terren janë hasur disa produkte të qumështit që rezultojnë me mospërputhje sipas raportit të AUV-së.
“Produktet e evidentuara janë: Schmand VITA, 18% – 180 g, Schmand VITA, 18% – 400 g, Schmand VITA, 18% – 800 g, Mushroom Cream Cheese – 200 g, Mazë tradicionale DRENA – 1 kg, Holla Cooking Cream – 1 L, Qumësht MY COW – 3.2%, Mazë tradicionale MILKET – 800 g dhe Schmand AJKA – 500 g”, thuhet në njoftim.
IQMT ka realizuar gjithashtu riinspektime në disa markete, të cilat ditë më parë ishin urdhëruar të tërhiqnin nga tregu produktet e qumështit me mospërputhje.
Gjatë riinspektimeve është konstatuar se operatorët ekonomikë kanë respektuar urdhëresat e IQMT-së dhe kanë ndërmarrë masat e kërkuara për tërheqjen e produkteve nga tregu.
Vetëm gjatë ditës së sotme janë realizuar 23 inspektime në komunat e Gjilanit, Prishtinës, Pejës, Ferizajt, Gjakovës, Podujevës dhe Mitrovicës.
IQMT ka bërë të ditur se inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të respektimit të legjislacionit në fuqi.
Ndërkohë, MINTI u ka bërë thirrje konsumatorëve që të raportojnë çdo parregullsi lidhur me produkte të dyshimta përmes platformës Viber, në numrin e dedikuar për ankesa.
“MINTI u bën thirrje të gjithë konsumatorëve të vazhdojnë të raportojnë çdo parregullsi për produkte të dyshimta përmes platformës Viber, në numrin e dedikuar për ankesa +383 (0) 46 311-000”, theksohet në fund të njoftimit





