LAJME

Tre të arrestuar për fajde në Prizren, njëri goditi me veturë 17-vjeçaren dhe policin gjatë arratisjes

Tre të arrestuar për fajde në Prizren, njëri goditi me veturë 17-vjeçaren dhe policin gjatë arratisjes
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Gusht 2026, 18:53

Tre persona janë arrestuar në Prizren nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Fajdeja”, pas një operacioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës.

Operacioni u realizua nga hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren, në bashkëpunim me zyrtarë policorë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, pas një hetimi të zhvilluar përmes masave të fshehta të hetimit.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas tij, gjatë arrestimit të njërit prej të dyshuarve, ai ka tentuar të largohet me veturë, duke mos iu bindur urdhrave të policisë. Gjatë arratisjes, i dyshuari ka goditur një 17-vjeçare, e cila ka pësuar lëndime trupore, por është jashtë rrezikut për jetë.

Po ashtu, vetura ka goditur edhe një zyrtar policor, hetues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, i cili ka pësuar lëndime të lehta.

Pas ndërhyrjes së policisë, i dyshuari është ndaluar dhe arrestuar.

Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar edhe një shumë parash, që dyshohet se lidhen me aktivitetin për të cilin të dyshuarit po hetohen.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, tre të dyshuarit janë arrestuar, ndërsa procedurat hetimore po vijojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe për të mbledhur provat lidhur me rastin.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika