Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Gjermania ka shprehur shqetësim lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se procesi i certifikimit është procedurë formale strikte që nuk duhet të politizohet, shkruan Reporteri.net.
“Ndaj të njëjtat shqetësime me BE’në dhe SHBA’në lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe. Zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë është esencial. Procesi i certifikimit është procedurë formale strikte që nuk duhet të politizohet”, ka shkruar Rohde në llogarinë e tij në platformën “X”.
Një zëdhënës i Ambasadës Amerikane ka thënë për gazetën online Reporteri.net se ky veprim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të dëmtojë zgjedhjet e lira.
“Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e Listës Srpska. Veprimet e KQZ-së rreptësisht duhet të kufizohen në zbatimin e standaredeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike.”, ka thënë ai për gazetën online Reporteri.net.
Nga ambasada thonë se veprime të tilla dëmtojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, meqenëse ia çelin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor.
“Ne jemi të shqetësuar nga përfshirja e hapur e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kandidatëve në KQZ. Veprime të tilla dëmtojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, meqenëse ia çelin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor.”
Po ashtu Ambasada e SHBA-së vlerëson se përgjegjësit duhet të mbesin rreptësisht vetëm në procedura ligjore, e jo në shqyrtime politike.
”KQZ-ja luan rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen e zhvillimit të zgjedhjeve dhe për të siguruar që ligji zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Përgjegjësitë e tij duhet të mbesin rreptësisht vetëm në procedurat ligjore, e jo në shqyrtimet politike.”, kanë vlerësuar nga Ambasada..
Ambasada Amerikane u ka bërë thirrje palëve që kanë probleme me proceset e KQZ-së që të shfrytëzojë mekanizmat institucionalë në fuqi, përkatësisht Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
“Të gjithë kandidatët që kualifikohen duhet të lejohen të garojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me ligjin kosovar. Është thelbësore që votuesit e jo organet politike, të vendosin se kush i përfaqëson ata.”
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot për certifikimin edhe të 16 subjekteve politike me 626 kandidatë për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Në mbledhjen e sotme u vendos që Lista Serbe të mos certifikohet për zgjedhjet e radhës.