Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it, si dhe u.d. të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Anna Carin Platon.
Një gjë të tillë e ka njoftuar Zyra e Kryeministrit me anë të një komunikate për media. Të njëjtit kanë bërë të ditur se Kurti ua kishte prezantuar të gjashtë kapitujt për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ushtruesen e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Anna Carin Platon dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it. Duke folur për takimin e datës 18 gusht në Bruksel, kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë, drejt një marrëveshjeje që në qendër ka njohjen reciproke. Ai prezantoi elementet e gjashtë kapitujve të Kornizës së Përgjithshme të marrëveshjes së ardhshme me Serbinë, për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.
Gjashtë kapitujt, siç ka bërë të ditur Kurti në një konferencë, përmbajnë ndër tjerash njohjen reciproke, njohjen e statusit të Kosovës, respektimin e të drejtave të pakicave dhe lejimin e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Në takim, sipas Zyrës së Kryeministrit, u bisedua edhe për marrëveshjen për targat, për zhvillimet politike në vend si dhe situatën politike në rajon.
