Ashtu siç paralajmëroi ditën e djeshme u.d i kryeshefit të KRU “Hidroregjioni jugor”, Fadil Berisha, sot janë riaktivizuar çeshmet dhe uji për varrezat e qytetit të Prizrenit pas më shumë se dy vitesh. Drejtori në detyrë, Berisha, tha se kemi trajtuar me seriozitetin më të lartë kërkesat e qytetarëve por edhe kuvendarit, Ertan Simitçi, për rifillimin e furnizimit të varrezave me ujë.
Ai tha më tej se në kuadër të rifillimit të furnizimit me ujë në varrezat e qytetit, po bëhte edhe vendosja e ujëmatësit, rregullimi i çeshmëve dhe intervenime tjera në sanimin e defekteve eventuale.
Ai në fund tha se duke pasur parasysh interesin qytetar, do të angazhohemi që së bashku me kompaninë “ Ekoregjioni” dhe komunën e Prizrenit, nga dita e sotme të kemi furnizim të vazhdueshëm me ujë për këto varreza.
E gjatë punimeve për rifillim normal të furnizimit me ujë për këtë vend të veçantë, punëtorët e KRU “ Hidroregjioni jugor”, kanë hasur edhe në lidhje ilegale të ujit nëpër varre nga familjarë të të vdekurve, gjë që ka ndikuar që për një kohë të ndërpritet përkohësisht sërish furnizimi me ujë për të çkyqyr nga rrjeti lidhjet ilegale nga qytetarë të pandërgjegjshëm.
Ndryshe, uji në varrezat e Prizrenit ka munguar prej më shumë se dy vitesh, që sipas drejtuesve të KRU “ Hidroregjioni jugor”, është bërë pas dy kërkesave që kanë pasur nga KRMM “ Ekoregjioni” për një gjë të tillë, dhe e cila i kishte ngelur borxh kompanisë së parë me mbi 17 mijë euro. Ndryshe, shumë qytetarë kanë reaguar të mllefosur me mungesën e ujit në këtë vend të veçantë.