Mos lejimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë në mënyrën si ka kërkuar Beogradi zyrtar ka nxitur reagime të ndryshme nga Aleksandar Vuçiq dhe ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin i cili njihet me diskurs anti-shqiptar.
Pas këtyre kërcënimeve në emisionin “Përballje”, në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Haxhiu ka deklaruar se kërcënimet që vijnë nga Serbia nuk janë aspak të befasishme.
Ministrja e Drejtësisë ka shtuar tutje se institucionet e Kosovës duhet të jenë vigjilente karshi kërcënimeve që po bëhen.
“Ne i kemi parë dhe i kemi ndjekur jo vetëm kërcënimet e ditës së djeshme mirëpo të vazhdueshme dhe sidomos pas asaj se çka po ndodhë pra në Ukrainë. Natyrisht që kemi parë edhe qëndrimin e Serbisë, e cila nuk ka vendosur sanksione sikurse të gjitha shtetet tjera ndaj Rusisë, e cila në një farë formë është në anën e Rusisë. Dhe nuk është e befasishme për ne që po vijnë kërcënime të tilla nga një shtet që është rreshtuar përkrah Rusisë, dhe nuk ka vendosur sanksione sikurse Kosova por edhe shtetet tjera duke filluar nga SHBA, e tjera. Të cilat kanë dënuar por edhe po i qëndrojnë afër Ukrainës në atë se çka po përjeton, kërcënimet e tilla nuk janë të reja”, ka pohuar ajo.
Ministrja ka shtuar tutje se institucionet e Kosovës duhet të jenë vigjilente karshi kërcënimeve që po bëhen.
“Duhet të jemi vigjilent dhe natyrisht që organet e sigurisë sikurse edhe të mbrojtjes janë në krye të detyrës sepse e kanë për obligim ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, dhe të jenë vigjilent në raport me keqpërdorimin që Serbia ia bënë qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë, duke i nxitur ata të përdorin forma të ndryshme, përmes protestave etj”, potencoi ministrja.
Ministrja Haxhiu gjatë intervistës në emisionin ” Përballje” në Telegrafi.com Foto: Ridvan Slivova
Gjatë emisionit, Haxhiu tha se në rast se do të organizohen protesta nga serbët në veri, Policia do të jetë aty për të mbrojtur qytetarët dhe jo të provokojë ndonjë konflikt të mundshëm.
“Kërcënimet janë të pritshme por e rëndësishme është që Republika e Kosovës të jetë vigjilente dhe institucionet qoftë ato të sigurisë qoftë ato të mbrojtjes të jenë në gjendje gatishmërie”, tha mes tjerash ajo.
Ministrja e Drejtësisë mes tjerash ka thënë se institucionet në Kosovës si kurrë më parë janë të unifikuara në raport më shtetin e Serbisë.
“Ne në asnjë formë nuk i thërrasim zyrtarët serbë që të bojkotojnë punën e tyre, por i thërrasim ata që të sillen vetëm në në bazë të legjislacionit në fuqi”, tha mes tjerash ajo.
Ministrja Haxhiu gjatë intervistës në emisionin ” Përballje” në Telegrafi.com Foto: Ridvan Slivova
Në intervistë, ministrja ka folur edhe për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stevanoviq.
Haxhiu ka thënë se vlerëson suspendimin e Stevanoviq, duke shtuar se Këshilli Gjyqësor i Kosovës i takon të merr vendime tjera.
Në këtë intervistë Haxhiu ka folur edhe për reformat në drejtësi, Vettingun, procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe vizitën që pritet ta realizojnë në Dhomat e Specializuara në Hagë.