Në fjalimin e tij vjetor “Condition of the Guard 2026”, Gjeneral Major Stephen Osborn, Adjutant Gjeneral i Ajovës, vlerësoi mysafirët e veçantë që përfaqësojnë partneritetin mes Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në ngjarje ishin të pranishëm Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Komandant i FSK-së, Komandant Rreshter Major Bedri Zuka, udhëheqësi më i lartë nënoficer, si dhe Drilon Zogaj, konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Des Moines.
Njoftimi i Gardës Kombëtare të Ajovës thekson se ky bashkëpunim ka ndërtuar ndër vite kapacitete dhe besueshmëri të ndërsjellë, duke forcuar ndërveprimin dhe gatishmërinë e të dy forcave. Për më shumë se 15 vjet, ushtarët dhe aviatorët e Ajovës kanë bashkëpunuar ngushtë me FSK-në në fusha si manovrat, mjekësia ushtarake, logjistika, mbrojtja kibernetike dhe zhvillimi profesional.





