LAJME

Parlamenti Studentor i UPz nesër organizon protestë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut

Parlamenti Studentor i UPz nesër organizon protestë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Maj 2026, 14:49

Parlamenti Studentor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Maqedoninë e Veriut, duke shprehur mbështetje për studentët shqiptarë dhe kërkesën e tyre për respektimin e të drejtës për arsim dhe provime në gjuhën amtare.

Përmes një reagimi publik, Parlamenti Studentor ka shprehur mbështetje të plotë edhe për protestën e paralajmëruar të mbahet të hënën nga ora 16:30, duke e cilësuar kërkesën e studentëve si legjitime dhe të drejtë themelore.

Në reagim thuhet se e drejta për të mësuar dhe për t’u vlerësuar në gjuhën shqipe nuk është privilegj, por një e drejtë që duhet të respektohet pa kompromis.

Sipas Parlamentit Studentor, zëri i studentëve ka bashkuar shqiptarët në të gjitha trojet dhe diasporën, duke dëshmuar unitet sa herë që preket dinjiteti dhe identiteti kombëtar.

Ata u kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse në Maqedoninë e Veriut që të dëgjojnë kërkesat e studentëve dhe të mos heshtin përballë padrejtësive ndaj rinisë shqiptare.

“Studentët kanë qenë gjithmonë forca që sjell ndryshimin dhe mbron të ardhmen e kombit”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Parlamentit Studentor.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika