Pasi ka kaluar më shumë se një vit prej se u publikuan rezultatet e Kosovës në testin PISA 2022, përfaqësues e zyrtarë të arsimit kanë reflektuar dhe shkëmbyer përvojat para se të mbahet ky test këtë vit.
Sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, ka më shumë se një vit që kanë filluar përgatitjet për testin PISA 2025.
Në konferencën “Ndikimi i PISA-s në informimin e politikave arsimore në Kosovë”, ministrja Nagavci bëri të ditur vlerësimet dhe rekomandimet në lidhje me testin PISA që kanë dalë nga takimet me ekspertë të arsimit, profesorë, prindër e hulumtues të fushës.
“Vlerësimet preknin të gjitha fazat e procesit, duke përfshirë rishikimin e teksteve mësimore bazë, rikonceptimin e vlerësimeve të standardizuara shtetërore në harmoni me metodologjinë e PISA-s, riorganizimin e shkollave, përgatitjen cilësore të koordinatorëve e administruesve të testit, krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm për informim dhe monitorim, riformatimin e mësimdhënies dhe nxënies drejt ndërlidhjes së teorisë me jetën reale, e të tjera” – ka deklaruar Nagavci më 19.03.2025.
PISA apo Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, është program i Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD), i cili mbahet çdo 3 vjet.
Qëllimi i PISA-s është t’i vlerësojë një numër nxënësish të moshës 15-vjeçare rreth njohurive dhe shkathtësive të tyre në tri fusha: matematikë, shkencë dhe lexim.
Nagavci bëri thirrje për mbështetje të nxënësve për arritjen e rezultateve, pasi sipas saj “rezultatet e OECD-së tregojnë se mësimdhënësit kanë dështuar në ofrimin e mësimdhënies adekuate për nxënësit, rreth 35% të nxënësve kanë raportuar se mësimdhënësit nuk kanë treguar interes për të mësuarit e secilit nxënës”.
Në vazhdimësi të dhënat e tregojnë se performanca e nxënësve mund të ndikohet nga sa i varfër apo i pasur është vendi i tyre, pra vendi ku nxënësit jetojnë, zhvillohen dhe arsimohen dhe se niveli bazë i shpenzimeve në arsim ofron mundësi më të mira të të pasurit një sistem efektiv arsimor” – tha Nagavci.
Sipas Nagavcit, “më shumë shpenzime për nxënës, natyrisht se çojnë në rezultate më të mira, por është tejet e rëndësishme se si adresohen këto shpenzime”.
Nagavci e ka vlerësuar të rëndësishme edhe mbështetjen nga prindërit për nxënësit, pasi u bazua në të dhënat e kësaj natyre të PISA-s sipas të cilave ‘nxënësit që mbështeteshin në shtëpi kishin qëndrime më pozitive ndaj shkollës dhe mësimit”.
“U bëj edhe një herë thirrje të gjithë punëtorëve të arsimit në shkolla, drejtorive komunale të arsimit që të realizojnë me përgjegjësinë më të lartë detyrat e veta në këtë proces, me përkushtim të plotë dhe duke iu përmbajtur etikës profesionale dhe morale për respektimin e rregulloreve dhe normave përkatëse” – ka theksuar Nagavci.
Ministrja njoftoi se kësaj radhe kanë vendosur që me secilën shkollë që ka marrë pjesë në testin PISA t’i ndajnë individualisht rezultatet e arritura në testin e fundit, krahas me një analizë me të dhënat për rezultatet në Kosovë, vendet e rajonit dhe rezultatet në nivel të OECD-së.
“Secila shkollë do të ketë mundësi të shohë rezultatet e nxënësve të saj, të orientojë më konkretisht përpjekjet për përmirësimin e rezultateve në testin e ardhshëm. Natyrisht që kjo nuk ka një qëllim krahasim për të akuzuar apo për t’u lavdëruar, por me qëllim që të shohim konkretisht cilat janë rezultatet që i kemi arritur si shkollë dhe të angazhohemi” – ka shtuar Nagavci.
Nagavci uron që nxënësit kosovarë të kenë rezultate të mira edhe në vlerësimet vendore, edhe ato ndërkombëtare.
Kurse, Andrea Schleicher, nismëtari i testit PISA dhe drejtor i arsimit në OECD, është lidhur nga Vjena në konferencë dhe ka prezantuar rezultatet dhe të dhënat e testit PISA 2022 të shteteve që kanë marrë pjesë në këtë test.
Sipas Schleicher, mirëqenia psikologjike e nxënësve në Kosovë është shumë më e lartë se në vendet e tjera të OECD-së.
“Nxënësit tregojnë më shumë qëndrueshmëri emocionale, janë më konfidentë, janë më të lumtur. Por, Kosova ka nevojë për më shumë përmirësim në matematikë, shkencë e lexim… Duhet ta shqyrtojmë suksesin në arsim në shumë aspekte, pra nxënësit janë të lumtur në Kosovë, por jo edhe akademikisht të suksesshëm” – ka thënë Schleicher.