Papa Françesku ka paralajmëruar se bota po e humb ndjeshmërinë ndaj krizave dhe vuajtjeve saqë ato që po ndodhin tani nuk po vërehen gati fare.
Në mesazhin e tij të përvitshëm për Krishtlindje, Papa përmendi trazirat e vazhdueshme në Siri, Jemen dhe Irak, ashtu si edhe ato në Afrikë, Europë dhe Azi.
Ai ka thënë po ashtu se efektet e pandemisë kanë kërcënuar edhe përpjekjet për të zgjidhur konfliktet në nivel ndërkombëtar.
Papa Françesku këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar, e ka mbajtur fjalimin në ambient të hapur.
Mijëra besimtarë katolikë – me maska kundër COVID-19 – ishin mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për ta ndjekur Papën që po fliste nga ballkoni i Bazilikës.
Papa ka paralajmëruar për pasojat sociale të pandemisë, duke thënë se ka “një tendencë në rritje për t’u tërhequr apo për të ndaluar përpjekjet për t’u takuar me të tjerët dhe për të bërë gjëra së bashku”.
Ai tha se “në nivel ndërkombëtar gjithashtu ekziston rreziku i shmangies së dialogut, rreziku që kjo krizë kompleksi të çojë në zgjedhjen rrugëve më të shkurtra në vend të atyre më të gjata për të zgjidhur konfliktet”.