Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar Epopenë e Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), duke theksuar se qëndresa dhe sakrifica e familjes Jashari në mars të vitit 1998 në Prekaz i dha një drejtim të ri historisë së Kosovës.
Në seancën solemne të Kuvendit për Epopenë e UÇK-së, Osmani ka thënë se muaji mars, i cili në mitologjinë e lashtë simbolizonte luftën dhe guximin, për shqiptarët u bë muaj i përballjeve që përcaktuan rrjedhën e historisë.
Sipas saj, më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz u bashkuan qëndresa, sakrifica dhe heroizmi, kur komandanti i UÇK-së Adem Jashari qëndroi në kullën e familjes së tij së bashku me familjarët, duke zgjedhur sakrificën para dorëzimit dhe lirinë para frikës.
Ajo theksoi se gjatë atyre tri ditëve marsi u shndërrua në muaj të epopesë dhe sakrificës që ringjalli një komb të tërë, ndërsa familja Jashari u bë simbol i qëndresës.
“56 shpirtra u bënë dritë për një popull. Në ato ditë krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por thirrje për liri – kushtrim që zgjoi Drenicën, Kosovën dhe mbarë botën”, ka thënë Osmani.
Presidentja shtoi se Epopeja e Marsit nuk është vetëm kujtesë emocionale, por një akt themelues i Republikës së Kosovës, pasi nga Prekaz nisi, siç u shpreh ajo, “orteku i lirisë” që nuk u ndal më.
Osmani theksoi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme, ndërsa figura e komandantit legjendar Adem Jashari mbetet kujtesë se liria nuk është dhuratë, por sakrificë.
Ajo u shpreh se familja Jashari mbetet simbol i flijimit dhe i dinjitetit shtetëror, duke shtuar se me qëndrimin e saj të palëkundur vazhdon të qëndrojë në piedestalin më të lartë të sakrificës për atdheun./KOHA