LAJME

Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë, i kërkoi bashkëpunim në disa fusha

Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë, i kërkoi bashkëpunim në disa fusha
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Janar 2026, 14:44

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë, Karin Anna Maandi.

Me këtë rast, Presidenca njofton se Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores Maandi në Kosovë dhe e përgëzoi për emërimin e saj, duke shprehur bindjen se mandati i saj do të kontribuojë në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Estonisë.

Në njoftim thuhet se presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme, parimore dhe të zëshme të Estonisë ndaj pavarësisë, sovranitetit dhe fuqizimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke potencuar se Kosova në vazhdimësi është linjëzuar me politikat e BE-së.

Më tej, siç bën të ditur Presidenca, Osmani dhe ambasadorja Mandi diskutuan për thellimin e bashkëpunimit me Estoninë në fushën e mbrojtjes, digjitalizimit, shërbimeve publike elektronike, sigurisë kibernetike, integrimit euroatlantik dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

“Sa i përket sigurisë dhe stabilitetit rajonal, presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke falënderuar Estoninë për kontributin e saj në sigurinë evropiane. Në këtë linjë, falënderoi Estoninë edhe për avokimin e vazhdueshëm për aspiratat evropiane të Kosovës, në veçanti për statusin e vendit kandidat për BE dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës” – thuhet në fund të njoftimit të Presidencës së Kosovës.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika