Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, së fundmi ka dhënë një intervistë për një gazetë italiane, e cila u botua dje. Në intervistën relativisht të gjatë, zonja Osmani dha qëndrimet e saja për çështjen e veriut, rrezikun nga Serbia, për çështjen e Ukrainës, e dialogun me Serbinë. Shefja e shtetit, në intervistën për gazetën italiane “Il fatto quotidiano”, foli edhe për skenaret e mundshme të paqes.
Në pyetjen e gazetarit se cili duhet të jetë zgjidhja më e mirë që duhet të ndiqet për të zgjidhur çështjen e Kosovës, zonja Osmani ishte e qartë në përgjigje. Në opinion e komandantes supreme, ideja e shkëmbimit të territoreve, që dikur përkrahej nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është një skenar i çmendur.
Në përgjigjen e shkurtër, zonja Osmani deklaroi se nuk do të jepet asnjë centimetër të territorit te ata që kryen krime në Ballkan.





