LAJME

Osmani nga kazerma “Adem Jashari”: FSK është trashëgimtare e UÇK-së

Osmani nga kazerma “Adem Jashari”: FSK është trashëgimtare e UÇK-së
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Mars 2026, 12:26

Në shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në kazermën “Adem Jashari” është bërë rreshtimi i i kuadrateve të FSK-së. Në ceremoninë e rreshtimit të tyre, presidentja Vjosa Osmani, teksa nderoi dhe çmoi kontributin e UÇK-së, deklaroi se FSK-ja është trashëgimtarja e denjë e saj.

Osmani theksoi se komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij, e shndërruan gjakun e tyre në vulën e lirisë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte zëri i një populli të shtypur. Ishte organizimi i guximit dhe shpresës që u ngrit kundër padrejtësisë. Ishte ndërgjegjja kombëtare që nuk pranoi të heshtë. Epopeja e marsit ’98 është dëshmi se liria fitohet me sakrificë, me unitet, me besim në të drejtën tonë për të jetuar të lirë në vatrat tona shekullore. Sot krenaria jonë nuk qëndron vetëm në të kaluarën. Ajo marshon para nesh me uniformë moderne, me profesionalizëm të lartë dhe me përkushtim të palëkundur ndaj Republikës sonë. Forca e Sigurisë së Kosovës është trashëgimtare denje e UÇK-së. Ajo bart në zemër idealin e lirisë dhe në duar mban përgjegjësinë e sigurisë së vendit”, tha Osmani./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika