Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), më 24.11.2025, nisi konferencën treditore lidhur me të drejtat digjitale dhe lirinë në internet, në kuadër të projektit të mbështetur nga Bashkimi Europian.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në këtë konferencë, u shpreh se internetin duhet ta ruajmë si hapësirë të sigurt.
‘’Jeta jonë rrjedh paralelisht në dy botë: atë fizike dhe digjitale… Interneti është hapësirë ku mund të lidhesh pa barriera, andaj nuk duhet të lejojmë që kjo liri që është nis për lidhje të na ndajë dhe të përdoret për shpifje e denigrime”- tha ajo.
Meqë interneti është hapësirë e lirë, sipas presidentes Osmani, kjo fushë është më e ekspozuar ndaj keqpërdorimeve dhe shkeljeve. “Interneti mbetet mjet i fuqishëm i cili në rast keqpërdorimi kthehet në mjet manipulimi dhe sulmi ndaj grupeve”- shtoi e para e shtetit.
Presidentja theksoi se Kosova përballet edhe me rreziqe strategjike që prekin “sigurinë dhe demokracinë tonë digjitale”, meqë gjuha shqipe ende nuk njihet në platformën Google.
“Kjo nënkupton që algoritmet nuk e detektojnë gjuhën e urrejtjes. Për këtë arsye kam zhvilluar takime me drejtues të Google duke kërkuar jo vetëm njohjen e gjuhës shqipe, por edhe pranimin në të gjitha platformat tjera”, bëri të ditur ajo.
Osmani theksoi se aty ku mungon përgjegjësia, rritet mundësia e abuzimit.
“Interneti po përballet me rrezik të ndërhyrjes në privatësi … Po shohim një realitet të dhimbshëm ku vajza, gra e fëmijë përballen me dhunë digjitale për t’ua ndal zërin. Këto janë sulme ndaj vetë themeleve të lirive njerëzore”- deklaroi presidentja.
Përball këtij realiteti, Osmani theksoi se nuk guxojmë të qëndrojmë indiferent.
“[Internetin] Duhet ta bëjmë hapësirë ku gratë dhe vajzat janë të pranishme me dinjitet dhe jo frikë. Dhe ku fëmijët nuk përballen me bullizëm”- u shpreh ajo.
Sipas Osmanit, fakti që Kosova ende nuk është në Interpol e vështirëson hetimin e krimeve kibernetike. “Duhet të krijojmë një ekosistem digjital shumë të sigurt”- tha Osmani.
Në konferencë u prezantuan konkluzionet kryesore si dhe rekomandimet që dalin nga Raporti Vjetor i BIRN-it lidhur me Shkeljet e të Drejtave Digjitale 2024-2025.
Ky raport përfshin konkluzionet që dalin nga monitorimi i vazhdueshëm i shkeljeve të të drejtave digjitale në dhjetë vende të Ballkanit dhe Evropës Juglindore, duke përfshirë: Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kroacinë, Hungarinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Rumaninë, Serbinë dhe Turqinë.
Gjatë konferencës do të diskutohen zhvillimet më të rëndësishme rajonale që lidhen me legjislacionin digjital, skemat mashtruese online, keqpërdorimin e inteligjencës artificiale, manipulimin gjatë zgjedhjeve, mbikëqyrjen, censurën dhe ndikimin e internetit në proceset demokratike./KALLXO.com
