LAJME

Organizatat kulturore në Prizren me letër të hapur për Totajn, kërkojnë sqarime për procesin e ndarjes së subvencioneve

Organizatat kulturore në Prizren me letër të hapur për Totajn, kërkojnë sqarime për procesin e ndarjes së subvencioneve
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Qershor 2026, 07:59

Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren, ku bëjnë pjesë DokuFest, EC Ma Ndryshe, Fondacioni Lumbardhi, Durmish Asllano, Ansambli Katarina Josipi, Feminae, Florg, Qendra për Barazi dhe Drejtësi, përmes një letre të hapur drejtuar kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, kanë shprehur shqetësimin e tyre me mënyrën se si Komuna po e trajton sektorin e pavarur kulturor, veçanërisht sipas tyre, në proceset e financimit publik dhe në raportin e saj me organizatat që për dekada kanë kontribuar në zhvillimin e qytetit.

“I nderuar z. kryetar Totaj, po iu drejtohemi publikisht pas një periudhe të gjatë shqetësimesh lidhur me mënyrën se si Komuna e Prizrenit po e trajton sektorin e pavarur kulturor, veçanërisht në proceset e financimit publik dhe në raportin e saj me organizatat që për dekada kanë kontribuar në zhvillimin e qytetit. Së pari, e njohim faktin se gjatë mandatit tuaj buxheti për kulturë është rritur. Kjo është një zgjedhje politike e rëndësishme dhe një sinjal se kultura shihet si fushë me rëndësi për zhvillimin e Prizrenit. Megjithatë, rritja e buxhetit nuk mjafton në vetvete. ” – thekson RrOK.

Sipas RrOK, një politikë publike nuk matet vetëm me shumën e mjeteve të ndara, por me mënyrën se si ato shpërndahen, me cilësinë e proceseve, me profesionalizmin e administrimit dhe me besimin që krijojnë te qytetarët dhe komunitetet të cilave u shërbejnë. Pikërisht këtu qëndron problemi sipas tyre.

Ata thonë se përkundër rritjes së mjeteve, Komuna nuk ka arritur të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm, profesional dhe të bazuar në meritë për mbështetjen e kulturës. Sipas tyre, vendimet e viteve të fundit kanë prodhuar pasiguri, mungesë transparence dhe një perceptim të gjerë për trajtim preferencial.

“Organizatat kanë marrë përgjigje pa arsyetime të mjaftueshme, proceset e ankesave janë trajtuar në mënyrë formale dhe jo substanciale, ndërsa vlerësimet nuk janë shoqëruar me argumente që do t’i lejonin sektorit të kuptonte logjikën e vendimmarrjes. Edhe më shqetësues është fakti se një pjesë e organizatave ende nuk i kanë pranuar mjetet e miratuara nga thirrjet e vitit të kaluar, pa një sqarim të qartë publik për vonesën dhe pa një afat të besueshëm për ekzekutimin e tyre. Ndërkohë, Komuna vazhdon të promovojë investimet në iniciativa të veta, duke i lënë në margjina organizatat që kanë krijuar një pjesë të madhe të vlerës për të cilën sot Prizreni krenohet.” – thuhet në reagim.

RrOK thekson se kultura e Prizrenit nuk është produkt i një mandati politik. Sipas tyre, ajo është rezultat i punës së përbashkët të qindra artistëve, aktivistëve, organizatave, komuniteteve dhe qytetarëve gjatë dekadave të fundit.

“Janë organizatat e pavarura ato që kanë ndërtuar festivale dhe bienale me reputacion ndërkombëtar; që kanë krijuar hapësira të reja kulturore; që kanë sjellë investime ndërkombëtare në qytet; që kanë promovuar diversitetin kulturor dhe bashkëjetesën; që kanë zhvilluar programe për të rinjtë, komunitetet dhe lagjet; dhe që kanë kontribuar në trashëgiminë kulturore, turizëm, ekonominë kreative dhe imazhin ndërkombëtar të Prizrenit. Pikërisht për këto arsye, organizatat kulturore nuk mund të trajtohen si përfituese të rastësishme të subvencioneve. Ato janë partnerë strategjikë të qytetit. Kur këto organizata dobësohen, nuk humbin vetëm organizatat. Humbin qytetarët, të rinjtë, artistët dhe publiku; dobësohet potenciali turistik, ekonomia lokale dhe vetë imazhi i Prizrenit si qytet i kulturës.” – shkruan RrOK.

Ata theksojnë se mund të vazhdojnë të punojnë edhe pa mbështetjen e Komunës. Këtë thonë se e kanë dëshmuar shumë herë. Por, sipas tyre çështja këtu nuk është mbijetesa e organizatave; çështja është interesi publik i Prizrenit. RrOK thekson se nuk ka kuptim që potenciali më i madh kulturor i qytetit të zhvillohet pavarësisht institucioneve lokale, në vend se bashkë me to.

“Sot, z. kryetar, përballë jush qëndrojnë dy rrugë. E para është të pranoni se proceset e deritanishme kanë prodhuar probleme serioze, të hapni dialog të mirëfilltë me sektorin, të rishikoni në mënyrë substanciale vendimet e kontestuara dhe të punoni bashkërisht për krijimin e një politike kulturore të drejtë, profesionale dhe zhvillimore. Një politikë që njeh kontributin e organizatave dhe ndërton partneritet afatgjatë për të ardhmen e qytetit. E dyta është të vazhdohet me injorimin e kërkesave dhe shqetësimeve të sektorit, duke prodhuar një klimë mosbesimi, polarizimi dhe konflikti të panevojshëm ndërmjet institucioneve dhe skenës kulturore. Një situatë që Prizreni e ka njohur në të kaluarën dhe nga e cila askush nuk ka përfituar.” – thekson RrOK.

Tutje, RrOK thekson se Prizreni ka potencial të jashtëzakonshëm kulturor. Sipas tyre, ata mund të flasin seriozisht dhe të punojnë për iniciativa ambicioze, si kandidimi për Kryeqytet Evropian të Kulturës 2033, zhvillimi i infrastrukturës kulturore, zgjerimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimi i mundësive të reja për artistët dhe qytetarët. Por këto, sipas RrOK, nuk mund të ndërtohen mbi mosbesim dhe arbitraritet. Ato kërkojnë vizion të përbashkët, partneritet dhe respekt të ndërsjellë, theksojnë ata.

Prandaj, organizatat kërkojnë që Komuna të ndërmarrë disa hapa të menjëhershëm, si: të publikojë arsyetimet e plota të vlerësimeve për thirrjet publike në kulturë; të sqarojë statusin e pagesave të miratuara nga viti i kaluar dhe afatin kur ato do të ekzekutohen; të rishikojë në mënyrë substanciale ankesat dhe vendimet e kontestuara; dhe të krijojë një grup të përbashkët pune me sektorin e pavarur kulturor për hartimin e një modeli më të drejtë, më transparent dhe afatgjatë të mbështetjes publike për kulturën në Prizren.

Për këtë arsye, RrOK ka ftuar që, brenda një afati të shkurtër, të hapet një proces serioz dialogu me sektorin kulturor, me pjesëmarrjen e organizatave të pavarura që janë shtylla të zhvillimit kulturor dhe të ekonomisë kreative sipas tyre, me dokumente të qarta dhe hapa konkretë.

“Ky dialog nuk duhet të jetë formalitet. Ai duhet të çojë në transparencë të plotë në financim, trajtim të drejtë të ankesave, ekzekutim të obligimeve të mbetura dhe një model të ri partneriteti ndërmjet Komunës dhe skenës kulturore. Prizreni meriton më shumë.” – përfundon reagimi.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika