Një grup organizatash joqeveritare nga komuniteti rom në Prizren i është drejtuar me një kërkesë urgjente kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, për ndarjen e një ndihme financiare emergjente në vlerë deri në 1000 euro për të mbuluar shpenzimet mjekësore të një qytetari rom, i cili ishte viktimë e një sulmi të dhunshëm fizik.
Sipas njoftimit të përbashkët nga OJQ “Durmish Asllano”, OJQ “Nevo Koncepti” dhe OJQ “Romtegra”, së bashku me aktivistët Islam Elshani dhe Shyret Hoxhaj, më 9 qershor 2025, shtetasi M.M. u sulmua brutalisht pranë Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, duke pësuar lëndime të rënda trupore, përfshirë thyerje të nofullës.
“Ky akt dhune ka tronditur jo vetëm familjen e tij, por edhe gjithë komunitetin tonë. M.M. është një qytetar i ndershëm që përballon sfida të mëdha ekonomike dhe sociale, ndërsa kujdeset për një prind me aftësi të kufizuara pa ndonjë mbështetje tjetër familjare”, thuhet në reagimin e përbashkët të OJQ-ve dhe aktivistëve.
Duke theksuar rëndësinë e ndërhyrjes së menjëhershme për trajtimin mjekësor dhe rehabilitimin e viktimës, organizatat kërkojnë që Komuna të marrë masa konkrete duke ndarë mjete financiare në formë mbështetjeje emergjente.
Përveç ndihmës financiare, shoqëria civile i ka bërë thirrje kryetarit Totaj që të vizitojë personalisht viktimën, duke dhënë një mesazh sensibilizimi dhe solidariteti me komunitetet e margjinalizuara dhe duke dënuar çdo formë dhune dhe diskriminimi.
Kjo kërkesë vjen në një kohë kur incidentet ndaj pjesëtarëve të komuniteteve rome në Kosovë mbeten ende një shqetësim i vazhdueshëm për organizatat e të drejtave të njeriut, të cilat bëjnë thirrje për veprime më të vendosura institucionale.