Fillimi i zbatimit të Ligjit për të Huajt është cilësuar frymëzim për shumë vende të Bashkimit Evropian se si ta trajtojnë çështjen e aplikacionit për anëtarësim të Kosovës në BE, ka thënë ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav.
Gjatë një takimi me gazetarë disa ditë para përfundimit të mandatit 19-mujor, Oravi shpreson që të ketë dinamika të reja në këtë proces.
“Aplikacioni për anëtarësim të Kosovë në BE nuk është trajtuar në proces. Një prej arsyeve ka qenë se në njërën anë nëse ka masa ndëshkuese ndaj Kosovës në anën tjetër është e vështirë që vendet anëtare të BE-së të fillojnë procesin në diçka. Nuk mund të flas këtu në emër të të gjitha vendeve anëtare, por tani kjo marrëveshja e 14 marsit i jep frymëzim shumë vendeve anëtare se si ta trajtojnë këtë çështje në të ardhmen e afërt”, ka deklaruar ambasadori Orav.
E përkundër lehtësirave të arritura në dakordimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog, Peter Sorensen, ambasadori i BE-së ka thënë se “zbatimi i këtij ligji nuk është diçka që mund të ndodhë brenda natës”.
Sipas tij, vendimi për lëshimin e lejeve të përkohshme të qëndrimit për personat që punojnë në institucionet e arsimit dhe ato shëndetësore në veri, ka bërë që të ofrohen listat e atyre personave.
“Këto lista nuk kanë qenë të gatshme të jepen më herët, tani edhe popullata në veri e sheh që është e mundur të ecet përpara të zgjidhjen çështjet, nuk ka probleme”, ka thënë ambasadori i BE-së.
E integrimi i këtyre dy institucioneve, sipas Oravit, pritet të mundësohet nga veprimet e ndërmarra pas konsultimeve mes kryeministrit Kurti, emisarit Sorensen dhe komunitetit serb, pa shkaktuar çrregullime apo ndërprerje të shërbimeve.
Përveç ndikimit te serbët në veri, ambasadori Orav e ka cilësuar Ligjin për të huajt edhe si një shembull si të ecet para në dialog dhe normalizim të raporteve Kosovë-Serbi.
Ligji për të Huajt ka nisur të zbatohet me 15 mars, por me disa lehtësira, pas kërkesës së BE-së të cilën e ka përcjellë përmes emisarit për dialog, Peter Sorensen.
Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj./KOHA