Policia e Kosovës ka përfunduar me sukses një operacion në Prishtinë të koduar me emrin “Shpërndarësi”, i cili pasoi një hetim disa-mujor. Operacioni u zhvillua më 18 janar 2025, duke rezultuar në sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të narkotikëve, armëve dhe sendeve të tjera të kundërligjshme.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se plani ka filluar në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj me ç’rast është ndaluar vetura Mercedes, ngjyrë e bardhë me targa vendore, me vozitës (Sh.S.), ku gjatë kontrollit në trup i është gjetur një qese me narkotikë të llojit kokainë me peshë 5.35 gramë.
Më tej, thuhet se plani ka vazhduar në rrugën “Vicanum” ku është ndalur vetura Audi Q8 me targa vendore, të cilën e drejtonte i dyshuari (Xh.S.), ku gjatë kontrollit të tij dhe veturës në një vend të fshehtë janë gjetur 21 paketime me substancë narkotike, të dyshuar si kokainë, me peshë 20.1 gramë.
Në të njëjtin lokacion është ndaluar edhe vetura Volvo, ngjyrë hiri me targa vendore, të cilën e drejtonte i dyshuari (F. S.), i cili është shoqëruar në stacion policor si i implikuar në rast.
Pas veprimeve fillestare, në konsultim me prokurorinë e krimeve të rënda në Prishtinë, është realizuar një bastisje në shtëpitë e të dyshuarve në rrugën “Dëshmoret e Marecit” në Prishtinë, ku gjatë kontrollit ka rezultuar me gjetjen e provave si në vijim:
• Në njërën shtëpi në banjo janë gjetur 219 qese (doza) me narkotikë të dyshuar si kokainë, me peshë 114.4 gramë, të cilat ishin të gatshme për shitje.
• Në veturën Phaeton, ngjyrë e zezë, pronë e të dyshuarit Xh.S., nën timon është gjetur një paketim me narkotikë të llojit kokainë me peshë 171.5 gramë .
• Dy revole me numra serik, me dy karikatorë dhe 9 fishekë.
• Një granatë dore model F1 dhe 29 fishekë kalibrash të ndryshëm.
• Tri vetura të dyshuara Audi Q8, Phaeton dhe Mercedes, të cilat janë përdorur për fshehje dhe shpërndarje të narkotikëve.
• Para të gatshme në vlerë 7900 Euro dhe 100 Dollar amerikan.
• Katër (4) telefona celular.
• Dy DVR
Në bastisjen e lokacionit të tretë në fshatin Suhodoll të Lipjanit, në një garazh në pronësi të dyshuarit (Xh. S.), është gjetur një veturë e dyshuar Golf 7, ngjyrë e kaltër me targa vendore, si e dyshuar, e involvuar në një rast “vrasje në tentativë”, e cila ishte fshehur në atë lokacion.
Sipas vlerësimeve të bëra, vlera e kokainës së konfiskuar, nëse do të shpërndahej në treg, arrin rreth 30,000 euro. Me udhëzim të prokurorit kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda – Prishtinë, është hapur procedura penale për: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në kontroll, posedim i paautorizuar i armës”.
Të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga antidroga e Policisë në Prishtinë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Prishtinë.