LAJME

OJQ “04 Putroshat” në Prizren bën thirrje urgjente për mbrojtjen e kafshëve endacake në Ditën Ndërkombëtare të Kafshëve të Pastreha

OJQ “04 Putroshat” në Prizren bën thirrje urgjente për mbrojtjen e kafshëve endacake në Ditën Ndërkombëtare të Kafshëve të Pastreha
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Prill 2026, 12:12

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kafshëve të Pastreha, organizata për përkujdesjen e kafshëve endacake “04 Putroshat” në Prizren ka apeluar për ndërgjegjësim dhe veprim të menjëhershëm për të adresuar problemin e kafshëve endacake.

Në një reagim publik, organizata thekson se kjo ditë nuk duhet parë si një datë simbolike, por si një thirrje urgjente për përgjegjësi kolektive. Sipas tyre, qentë dhe macet që jetojnë në rrugë janë pasojë e drejtpërdrejtë e braktisjes dhe shumimit të pakontrolluar.

“Këta qen dhe mace nuk e kanë zgjedhur rrugën. Çdo ditë lindin këlyshë dhe kotele që përfundojnë të uritur, të sëmurë dhe të padukshëm për shoqërinë,” thuhet në reagim.

Organizata nënvizon se sterilizimi mbetet një nga zgjidhjet më efektive dhe urgjente për të parandaluar përkeqësimin e situatës. Sipas tyre, çdo kafshë e sterilizuar përfaqëson një hap drejt uljes së numrit të kafshëve në rrugë dhe reduktimit të vuajtjes së tyre.

“Sterilizimi shpëton jetë. Është një akt përgjegjësie dhe humanizmi,” thekson organizata, duke shtuar se puna në terren po vazhdon çdo ditë, por nuk është e mjaftueshme pa mbështetjen e qytetarëve.

“04 Putroshat” u bën thirrje qytetarëve që të sterilizojnë kafshët e tyre, të mos i braktisin ato dhe të zgjedhin adoptimin në vend të blerjes. Po ashtu, ata kërkojnë angazhim më të gjerë shoqëror për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve për kafshët e pastreha.

“Nëse secili kontribuon, qoftë edhe me një hap të vogël, ndryshimi është i mundur. Kafshët nuk kanë zë, por ne kemi përgjegjësinë ta përdorim atë,” përfundon reagimi.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika