LAJME

Nxënësit e gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren promovojnë biodiversitetin përmes iniciativave praktike

Nxënësit e gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren promovojnë biodiversitetin përmes iniciativave praktike
TV Prizreni
TV Prizreni
7 Prill 2026, 12:40

OJQ “EC Ma Ndryshe” ka njoftuar se në kuadër të aktivitetit “Veprime Lokale të Udhëhequra nga të Rinjtë – Aktivizimi i Komunitetit për Mbrojtjen e Mjedisit”, nxënësit e gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren kanë realizuar një aktivitet praktik me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mjedisor tek të rinjtë.

Sipas njoftimit, si pjesë e kësaj nisme, në hapësirat e shkollës janë vendosur një terrarium dhe një hotel për insekte, si elemente konkrete që promovojnë biodiversitetin dhe forcojnë lidhjen e nxënësve me natyrën.

“Këto ndërhyrje përfaqësojnë një qasje inovative dhe edukative, duke sjellë natyrën më afër përditshmërisë së nxënësve. Terrariumi, i ndërtuar si një ekosistem i vogël me bimë dhe elemente natyrore, ofron një mundësi të drejtpërdrejtë për të kuptuar funksionimin e natyrës në një ambient të kontrolluar. Ndërkaq, hoteli për insekte shërben si strehë për insektet e dobishme, të cilat luajnë një rol kyç në ruajtjen e ekuilibrit ekologjik” – thuhet në njoftim.

EC Ma Ndryshe thekson se përmes këtyre aktiviteteve, synohet pasurimi i hapësirave shkollore me elemente natyrore, por edhe zhvillimi i një qasjeje më praktike dhe të qëndrueshme ndaj mjedisit.

Ndryshe, siç bëhet e ditur, ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra – Nisma e Tranzicionit të Gjelbër nga të Rinjtë dhe Komuniteti në Kosovën Perëndimore”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe në partneritet me Care International Balkans dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, si dhe me Syrin e Vizionit si bashkë-zbatues.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika