Kryeministri i vendit, Albin Kurti mbrëmë i është bindur kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrje të afatit për targat ilegale.
Kurti ka njoftuar se afati është shtyrë për 48 orët e ardhshme.
Njohësit e sigurisë në vend po shohin rrezik pas përfundimit të këtij afati në veri.
Nuredin Ibishi ka thënë se ekziston mundësia për incidente në veri pas përfundimit të afatit për targat.
Ai thotë për Front Online se serbët në veri janë të dirigjuar nga Beogradi.
“Serbët në veri janë në dirigjim të Beogradit me këto veprime kriminale të djegies së veturave kjo nuk është hera e parë. Nuk është zgjidhje shtyrja për 48 orë e problemit, mund të ketë incidente dhe probleme”, theksoi Ibishi.
Sipas Ibishit, BE-ja nuk ka zgjidhje për problemet në veri, shpresat janë tek SHBA-të.
Eksperti i sigurisë vlerësoi se afati i shtyrjes së vendimit për targat nga Kurti nuk është i bollshëm.
“Borell foli me një mundësi pa zgjidhje dhe duke kushtëzuar kryeministrin Kurti dhe është e papranueshme. Përfaqësuesit e BE-së nuk pritët që ata ta bëjnë një zgjidhje të problemit aktual, mbetet vetëm SHBA të ketë një mundësi zgjidhje të situatës. Nuk është koha e bollshme 48 orë për me arrit diçka e me sjell rezultate”, u shpreh Ibishi.
Kosova dhe Serbia gjatë ditë së djeshme për më shumë se tetë orë nuk kanë arritur pajtim në Bruksel për çështjen e targave ilegale KM PR e të tjera.
Të dyja palët Kosova dhe Serbia kanë akuzuar njëra tjetrën për mos konstruktivitet, por që ka qenë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel që ka kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit të vendit Albin Kurti gjatë takimit Kurti – Vuciq –Borrel – Lajçak./Front Online/