Është rihapur konkursi për kryesues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Kjo pasi dy kandidatët për këtë pozitë, Besnik Bislimaj dhe Rrustem Thaqi në dy raunde votimi kanë marrë numrin e njëjtë të votave.
Zëvendëskryesuesja Arijeta Sadiku ka thënë se konform rregullores, administrata obligohet të rihapë konkursin.
“Meqë asnjëri nga kandidatët nuk kanë marrë votat e nevojshme, andaj konform rregullores konkursi rishpallet. Administrata obligohet të votojë rihapë konkursin”, ka thënë ajo.
Thaqi e Bislimaj kanë marrë nga pesë vota, në dy herët e votimit, ku njëri nga anëtarët ka votuar dy kandidatët, votë e cila konsiderohet e pavlefshme.
Para kësaj mbledhje, në mungesë kuorumi, tri herë radhazi ka dështuar të mbahet mbledhja për zgjedhjen e kryesuesit të KGJK-së.
Aktualisht këshilli ka 9 anëtarë, sa është edhe kuorumi.
KGJK-ja, sipas Kushtetutës, është e paraparë të ketë 13 anëtarë. Aktualisht ka nëntë, ndërkaq për tre të tjerë po zhvillohet procesi i përzgjedhjes në Kuvendin e Kosovës, kurse për një anëtar nga radhët e gjyqësorit, respektivisht nga Gjykata Supreme, procesi i përzgjedhjes ka marrë rrugët gjyqësore.
Në mars të këtij viti Këshilli Gjyqësor shpalli konkurs për kryesuesin e ri.
Kryesues i Këshillit Gjyqësor ka qenë gjykatësi i Supremes, Albert Zogaj, të cilit i ka përfunduar mandati më 9 mars./KOHA