Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ku kanë diskutuar për shpalljen dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së zyrtarëve të zgjedhur nga katër komunat në veri të vendit si dhe për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr.
Sipas një komunikate për media të Presidencës, në këtë takim, Osmani ka theksuar se janë duke u ndërmarrë hapat e nevojshëm për shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.





