Nga mesnata e 16 janarit, ka nisur zbatimi i Ligjit për automjetet, sipas të cilit automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë më shumë se tre muaj ose mbi bazën e autorizimit. Përveç tij, ka nisur zbatimi i Ligjit për të huajt sa u përket dokumenteve personale që nënkupton se të gjithë ata që nuk posedojnë dokumente të Kosovës do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve.
Prej tash, vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare në Kosovë do të pajisjen me materiale informuese rreth procedurave dhe rregullave specifike.
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar se kjo është faza e parë dhe do të zgjasë deri më 15 mars 2026, pra plotë tre muaj.
“Nga dita e nesërme fillon zbatimi i ligjit për të huajt dhe ligjit për automjetet. Në fazën e parë të zbatimit, vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me material informues rreth procedurave dhe rregullave specifike, dhe kjo periudhë do të zgjasë deri më datën 15 mars”, ka shkruar ai.
Bislimi ka njoftuar se pas mesit të marsit do të ketë zbatim të plotë, tek paralajmëroi edhe integrimin e sistemit arsimor e shëndetësor që aktualisht funksionon në sistem të Serbisë.
“Pas kësaj fillon zbatimi i plotë i procedurave dhe rregullave që parashihen me ligjet e lartpërmendura. Qeveria e Republikës së Kosovës njofton se kjo periudhë e zbatimit afirmativ duhet të përdoret maksimalisht për të filluar me procesin e integrimit përmbajtjesor të sistemit shëndetësor dhe atë të arsimit në gjithë territorin e vendit”, ka shkruar Bislimi.
