Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit F.Sh., i cili gjendet nën masën e paraburgimit nga data 09.12.2024 për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Fajdeja” nga neni 331, par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 77, par.1, dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294, par.3 lidhur me par.2 dhe nenin 77, par.1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Sipas aktakuzës, nga muaji shtator i vitit 2023 dhe në vazhdimësi, përkatësisht deri me datë 09.12.2024 për vete pranon dhe kontrakton shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, varfërinë, papërvojën dhe paaftësinë e tij për të gjykuar, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari – viktima, A.Z., nuk kishte pasur mundësi t’ia kthejë një borxh në shumën prej 70,000.00 € dhe në momentin kur viktima has në vështirësi që t’ia paguajë borxhin në fjalë, i pandehuri arrin ta bindë viktimën që në emrin e tij do të angazhohet dhe t’ia sigurojë paratë, në mënyrë që t’ia krijojë kushtet të njejtit për kthimin e borxhit, me ç’rast duke filluar nga muaji prill i vitit 2024, i pandehuri i siguron viktimës të hollat në shumën prej 10,000.00 € (dhjetëmijë euro) për të cilën shumë më pas e detyron viktimën të paguajë kamatë prej 15%, duke vazhduar më tej, përkatësisht në muajin Qershor, 2024, sërish i mundëson viktimës të marrë në dispozicion shumën e të hollave prej 5,000.00 € (pesëmijë eurosh), për të cilën shumë – vetëm për 6 (gjashtë) javët e para, viktima është detyruar të paguajë kamatë në shumën prej 3,000.00 € (tremijë euro) duke përfshirë edhe shumën totale të borxhit prej 5,000.00 € (pesëmijë eurosh) dhe sërish brenda të njëjtit muaj, i siguron viktimës shumën e parave prej 10,000.00 € (dhjetëmijë eurosh) me kamatë prej 18% dhe më pas në muajin Korrik, 2024, i njëjti sërish i mundëson viktimës, përkatësisht ia siguron shumën e të hollave prej 2,000.00 € (dymijë eurove) për të cilën shumë e detyron të paguajë kamatë prej 20%, për të vazhduar më tej, konkretisht në muajin gusht të vitit 2024, i pandehuri sërish i mundëson viktimës të marrë para (gjithnjë me interes – fajde) në shumën prej 10,000.00 € (dhjetëmijë euro) duke e ngarkuar me kamatë prej 15%, për të cilën shumë, për të vazhduar më pas brenda po të njejtit muaj (Gusht, 2024), deri kur me datë 09.12.2024 në fshatin Shirokë të komunës së Suharekës, i pandehuri kapet në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës duke pranuar nga viktima të hollat në shumën prej 5,000,00 € (pesëmijë euro) – gjithnjë në emër të kamatave të papaguara për huadhëniet me fajde, i cili arrestohet në vendin e ngjarjes, me ç’rast në total viktima ka paguar para me interes – kamatë të paligjshme në shumën prej 14,600.00 € (katërmbëdhjetëmijë e gjashtëqind euro) dhe ende nuk ka arritur t’ia paguajë shumën e mbetur të kamatës prej 21,400.00 € (njëzet e njëmijë e katërqind euro) gjegjësisht totalin e kamatës nga të gjitha huazimet e të hollave me fajde, e cila kap vlerën prej 81,400.00 € (Tetëdhjetë e njëmijë e katërqind euro). Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së”, njofton Prokuroria.





